Të hënën është mbajtur mbledhja e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, ku presidentja e vendit, Vjosa Osmani u paraqit së bashku me katër heroinat, Fahrije Hoti, Vasfije Krasniqi, Elmaze Muçolli dhe Shyhrete Tahiri.
Paraqitja e katër heroinave në këtë mbledhje fillimisht u kundërshtua, ku për këtë bëri një reagim edhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, i cili tha se ato nuk janë pjesë e stafit diplomatik.
“Viktimat e atij regjimit ( Millosheviçit) janë këtu, Vuçiq merr pak kohë e kërko falje. Tregoju të gjithëve nëse ke një shenjë të vogël të humanitetit që ka mbetur në ty”, u shpreh Osmani.
“Natyrisht, ajo çfarë presidenti Vuçiq deklaroi është e gjitha e pavërtetë. Kështu që unë do të doja të ftoja secilin anëtar të këtij këshilli që realisht ta vizitojnë Republikën e Kosovës, në mënyrë që të shihni vetë përparimin që kemi bërë, demokracinë që po lulëzon. Dhe atëherë mund të kuptoni dhe të vendosni nëse doni t’u besoni syve tuaj apo gënjeshtrave të tij.
Unë, siç po akuzohem nga Serbia dhe Rusia, nuk kam folur për të kaluarën. Unë fola për Kosovën e sotme, por Kosova e sotme është formësuar edhe nga dhimbjet e së kaluarës për një arsye të thjeshtë, për shkak të mungesës së drejtësisë. Të gjithë e dimë dhe kemi mësuar nga historia se paqja kërkon ballafaqim me të kaluarën. Dhe në këtë kuptim, në vend që të përhapte propagandë, Vuçiq sot duhet të na kishte thënë nëse i vjen keq që i përket një regjimi që shkaktoi vdekjen e më shumë se 150 mijë civilëve të vrarë.
Nëse i vjen keq për ndonjë gjë nga karriera e tij në vitet 90-ta, nëse i vjen keq që bëri thirrje për gjenocid në Srebrenicë nga foltorja e parlamentit të tij, nëse i vjen keq që qëndroi pas Sheshelit kur tha “të mos lëmë asnjë shqiptar të gjallë”, nëse i vjen keq që i dëboi të gjithë gazetarët nga vendi gjatë luftërave, nëse i vjen keq që lavdëroi Millosheviqin vetëm një vit më parë, duke e quajtur “një njeri i madh me qëllime të mëdha”, nëse i vjen keq fakti që i përkiste dhe i shërbeu me aq besnikëri atij regjimi.
Viktimat e atij regjimi, zoti Vuçiq, janë pikërisht këtu. Merrni një moment dhe kërkoju falje, tregoju të gjithëve nëse ju ka mbetur edhe pak njerëzim“.
Presidentja rikujtoi edhe njëherë para pjesëmarrëseve se serbët kanë kryer masakra në gratë shtatzëna, fëmijë, e shumë qytetarë tjerë.
Gjithashtu, ajo u shpreh se presidenti Vuçic, i cili kishte shërbyer në kohën e Millosheviq, tashmë bënë vetëm propagandë, e të cilën e bazon në propagandën ruse.
Në fjalën e saj, presidentja Vjosa Osmani ka thënë se Kosova është histori suksesi pasi që shoqëria jonë jo vetëm që ka tejkaluar luftën por ka nivel të avancuar të sundimit të shtetit të së drejtës dhe mbrojtjes së komuniteteve.
“Pas 25 vjetëve Kosova shkëlqen me suksese dhe është avokate për vlerat demokratike, që vë në pah diversitetin, duke promovuar multietnicitetin dhe përparimin e të drejtave njerëzore për të gjithë”, ka thënë ajo./Telegrafi/