Zhurma e traktorëve e thyente qetësinë e fshatit Bukosh të Vushtrrisë, mëngjesin e 11 prillit.
Fermeri Gjylazim Ibrahimi me djalin e tij po kryenin mbjelljet pranverore.
Që të dy nguteshin që të kryenin sa më shpejt punët në njërën nga arat, të cilën e mbjellin me misër që shumë vjet.
“Merrem me mbjelljen e misrit që 17 vjet”, thotë Gjylazimi për Radio Evropa e Lirë.
Këtë vit, mbjelljen po e kryejnë më herët se zakonisht për shkak të motit të mirë.
Më 11 prill, temperatura më e lartë në Kosovë u regjistrua 23 gradë celsius.
Përkundër punës së madhe që kërkon, fitimi nga kultivimi i misrit nuk është aq i lartë.
Viteve të fundit është vërejtur rënie e çmimit të misrit në treg.
Gjylazimi thotë se një thes misër, rreth 25 kilogramësh, aktualisht kushton 10 euro.
“Nëse vazhdon ky çmim, i cili është në treg tani, nuk ja vlen ta mbjellësh misrin”, thotë Gjylazimi.
Më pesimist Gjylazimin e bën rritja e çmimit të farës së misrit dhe të plehrave artificiale.
Përkundër subvencioneve që fermerët marrin, Gjylazimi thotë se vlera e mbjelljes së misrit është rritur vazhdimisht.
“Në këto vitet e fundit është shumë shtrenjtë mbjellja e misrit. Çmimi i farës së misrit është nga 37 euro deri në 42, ndërsa plehu 14 euro, fara më mirë, e cila vjen nga Amerika, është 42 euro”, thotë ai.
Këto çmime kanë qenë më të ulëta në të kaluarën.
“Nëse e krahason me vitet e kaluara, çmimet kanë qenë më të lira. Fara [e misrit] e ka pasur çmimin 22 deri në 25 euro, ndërsa plehu artificial ka qenë 8 euro, tani është 14 euro”, thotë ai./REL/