Ditë më parë është raportuar se në fshatin Stankaj të Rugovës janë ndërtuar disa vila pa leje ndërtimi. Në mesin e tyre siç është raportuar janë edhe vilat e bashkëshorteve të dy krerëve të Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Albert Zogaj e Qerim Ademaj, të cilat në 2019 u janë bartur vjehrrave të tyre.
Në lidhje me këtë Telegrafi ka kontaktuar zëdhënësin e Prokurorisë së Pejës, Shkodran Nikçin i cili tha se është autorizuar Policia e Kosovës që të marrë veprime lidhur me këto vila të ndërtuara jashtëligjshëm në fshatin Stankaj.
“Prokuroria e Pejës ka autorizuar Policinë e Kosovës që të merr veprimet e nevojshme lidhur me këtë rast”, ka thënë zëdhënësi i Prokurorisë së Pejës, Nikçi.
Ndryshe, ditë më parë është raportuar se Bjeshkët e Nemuna janë shndërruar në oazë të ndërtimeve pa leje.
Në Komunën e Pejës thonë se nuk kanë lëshuar asnjë leje ndërtimi në atë pjesë, pasi që nga viti 2013 ajo është kompetencë e Drejtorisë së Parkut Kombëtar.
Në Drejtorinë e Parkut Kombëtar kanë thënë se asnjë ndërtim në atë zonë nuk ka leje.
E në Prokurorinë e Pejës thonë se në vazhdimësi kanë pranuar kallëzime penale nga Drejtoria e Parkut dhe nga Policia nën dyshimet për vepra penale ndërtime pa leje.
“Nuk e kam numrin e saktë, por rreth 200 aktakuza në trevën e Rugovës, ndërsa sa i përket Parkut kombëtar mund të themi se i kemi rreth 300 aktakuza të ngritura nga viti 2019 e deri më tani. Për çdo person që ka rënë ndesh me elementet e veprës penale ndërtimet pa leje prokurori i shtetit ka autorizuar Policinë e Kosovës që të zhvillojnë proceset hetimore”, ka deklaruar zëdhënësi i Prokurorisë, Shkodran Nikçi.
Bjeshkët e Nemuna janë shpallur zonë e mbrojtur nga viti 2013 dhe deri më tani nuk është miratuar ende Ligji për Planin Hapësinor, që do të lejonte ndërtimet në zona të caktuara. /Telegrafi/