Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka hedhur sot shortin zyrtar për renditjen e subjekteve politike në fletëvotim, në kuadër të zgjedhjeve lokale që do të mbahen më 12 tetor.
Duke përcaktuar renditjen numerike që secili subjekt do të ketë në fletëvotim, shpesh ka ndikim në strategjinë e fushatës dhe në mënyrën e komunikimit me votuesit.
Pas hedhjes së shortit, partitë politike kanë nisur të zyrtarizojnë edhe sloganet me të cilat do të garojnë në këto zgjedhje, duke synuar që përmes tyre të përçojnë mesazhe të qarta për elektoratin në komunat përkatëse.
Lëvizja Vetëvendosje (LVV) do të garojë me numrin 105, dhe do të prezantohet para qytetarëve me sloganin “Numri i fitores për komunat”.
Në një njoftim LVV ftoi qytetarët që të rrethojnë numrin 105.
“Për ndryshimin që s’ndalet, për përfaqësim të denjë, të ndershëm dhe punëtor. Më 12 tetor, rrethoni 105. Për komunën që e duam. Për të ardhmen që e ndërtojmë bashkë”, thuhet në njoftimin e LVV-së.
Partia Demokratike e Kosovës (PDK) do të ketë në fletëvotim numrin 191, dhe fushata e saj do të zhvillohet nën moton “Ma mirë për komunën”.
I pari i PDK-së, Memli Krasniqi u shpreh se do të sjellin modelin e qeverisjes më të mirë nëpër komuna.
“Me numrin 191, PDK hyn në zgjedhjet lokale për t’ua sjellë komunave të Kosovës modelin e qeverisjes #MaMirë – me punë, përgjegjësi dhe vizion. Me kandidatët më të mirë për kryetarë, këshilltarët më të përgatitur komunalë dhe programin më zhvillimor, jemi gati për fitore. Bashkë, përpara”, shkroi Krasniqi.
Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) është renditur me numrin 113, dhe ka zgjedhur sloganin “Kosova përtej”.
Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku u shpreh se 12 tetori do të jetë festa e tyre. “Ky është numri ynë. 12 tetori është festa jonë. LDK përgjithmonë”, ka shkruar Abdixhiku.
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) do të garojë me numrin 174, me sloganin “Flasim me punë”.
Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj tha se Aleanca është shembull për të gjithë sepse për ta flet puna e jo premtimet.
“174 është numri i Aleancës në fletëvotim! Më 12 tetor, qytetarët do të kenë mundësinë të zgjedhin njerëz të dëshmuar në komuna dhe vizionin tonë për fitore të reja. Aleanca gjithmonë ka treguar se është shembull, shembull për të gjithë, sepse për ne flet puna, jo premtimet. Ky është angazhimi ynë: punë, jo premtime, dhe këtë e kemi vërtetuar kudo ku kemi marrë përgjegjësi”, u shpreh Haradinaj.