Forcat ajrore dhe tokësore izraelite zgjeruan sulmet e tyre në Rripin e Gazës të premten, tha ushtria, dhe grupi palestinez tha se luftëtarët e tij po përlesheshin me trupat izraelite në zonat afër kufirit me Izraelin.
Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara mbështeti me shumicë dërrmuese një rezolutë të hartuar nga shtetet arabe që bën thirrje për një armëpushim të menjëhershëm humanitar dhe kërkoi aksesin e ndihmës në territorin e rrethuar dhe mbrojtjen e civilëve, raporton Reuters, përcjell Telegrafi.
Edhe pse jo detyruese, rezoluta ka peshë politike, duke reflektuar gjendjen globale. Rezoluta kaloi në një raund duartrokitjesh me 120 vota pro, ndërsa 45 abstenuan dhe 14 – përfshirë Izraelin dhe Shtetet e Bashkuara – votuan kundër.
Në Gaza, firmat lokale të telekomunikacionit dhe Shoqëria Palestineze e Gjysmëhënës së Kuqe thanë se shërbimet e internetit dhe telefonisë celulare ishin ndërprerë.
“Në orët e fundit, ne i intensifikuam sulmet në Gaza”, tha kundëradmirali Daniel Hagari, në një konferencë televizive të premten. Forcat ajrore të Izraelit po kryenin sulme të gjera mbi tunele dhe infrastrukturë tjetër, u shpreh ai. /Telegrafi/