Presidentja Vjosa Osmani gjatë ceremonisë së funksionalizimit të Qendrës Rajonale të Ekselencës për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, tha se kjo ngjarje shënon kulminacionin për punën e grave të Kosovës.
“Qendra Rajonale e Ekselencës për Gratë, Paqen dhe Sigurinë do të shërbejë si një ombrellë për punën e të gjithë akterëve në rajon e përtej. Këtë qendër s’e shoh thjesht si një entitet shtesë, por si kulminacion të punës së grave të Kosovës ndër dekada, të cilat i kanë dëshmuar botës se nuk ka forcë që mund ta mposhtë shpirtin e tyre luftarake dhe etjen për drejtësi, barazi dhe dinjitet. Është puna e grave dhe heroinave tona ndër vite, qëndresa dhe vizioni i tyre i pashoq, që ka shndërruar gradualisht Kosovën në një pikë reference për sa i përket fuqizimit të rolit të grave në paqe dhe siguri”, ka thënë Osmani.
Ajo ka thënë se kjo qendër dikur do të shndërrohet në sinonim të angazhimit të koordinuar në dobi të avancimit të kësaj agjende.
Kjo qendër u funksionalizua si rezultat i memorandumit të nënshkruar nga presidentja Osmani në emër të Republikës së Kosovës dhe nga Qeveria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, gjatë edicionit të dytë të Forumit Ndërkombëtar për Gratë, Paqen dhe Sigurinë.
Ndërkaq ambasadori amerikan Jeffrey Hovenier, ka thënë se themelimi i kësaj qendre shpreh përkushtimin për t’u siguruar që gratë janë në çdo proces të paqes e të sigurisë.
“Kjo qendër do të shërbejë si vendtakim për bashkëpunim, një vend ku shoqëria civile, qeveria, bota akademike dhe partnerët ndërkombëtare mund të bëhen bashkë për të krijuar strategji e përparim të qëndrueshëm. Kjo qasje përfshirëse është thelbësore për të arritur pjesëmarrje domethënëse në proceset vendimarrëse politike dhe duke adresuar çështjet e dhunës në baza gjinore dhe duke siguruar qasje të barabartë në rimëkëmbje dhe ndihmë”, ka thënë Hovenier.