13/04/2024

Osmani, Sveçla, Stoltenberg deklarohen rreth sigurisë në Kosovë

të fundit...

- Advertisement -spot_img

Presidentja e vendit Vjosa Osmani, ministri i Punëve të Brendshme Xhelal Sveçla dhe shefi i NATO-s Jens Stoltenberg të mërkurën folën për situatën e sigurisë në Kosovë.

E para e shtetit, Vjosa Osmani deklaroi se Kosova është e gatshme për çdo skenar të Serbisë, teksa u pyet për sulme të mundshme nga Serbia. Kryetarja e shtetit bëri të ditur se janë në koordinim dhe kontakt të përditshëm me partnerët ndërkombëtarë ne lidhje me sulmet e mundshme të Serbisë.

“Unë jam në kontakt të përditshëm me institucionet e sigurisë dhe me partnerët ndërkombëtarë në mënyrë që t’i ndërmarrim te gjitha masat e nevojshme që ta mbrojmë Kosovën, që ta mbrojmë integritetin tonë territorial dhe sovranitetin. Serbia nuk është që mendon mirë, nuk është qe planifikon mirë, me rendësi është që ne jemi të gatshëm për çdo skenar”, deklaroi Osmani. Lidhur me sigurinë në Kosovë është pyetur të mërkurën edhe ministri Sveçla në një konferencë për media.

Ai ka thënë se si institucione e kanë përgjegjësi që Republikën e Kosovës ta mbrojnë nga të gjitha rreziqet çfarëdo natyre të jenë ato.

“Jam i bindur që institucionet e sigurisë janë mjaftueshëm të pjekura dhe profesionale që të përballen me të gjitha sfidat të cilat mund t’i kemi përpara. Ne po flas për të gjitha institucionet e sigurisë jemi duke bërë vazhdimisht vlerësime të situatave dhe skenarëve të ndryshëm dhe po ashtu edhe përgatitjeve të çfarëdo lloj skenari që dëmton integritetin apo sovranitetin e Kosovës”, tha Sveçla.

I pyetur se a kanë sinjale që Mali i Zi mund të jetë i përfshirë në ndonjë skenar të mundshëm, Sveçla tha se nuk ka informata të tilla.“Nuk kam informatë që Mali i Zi ka të njëjtën qasje kriminale apo të njëjtat aspirata pushtuese siç ka Serbia. Mund të ketë elemente ose ekstremistë që vijnë nga një vend apo tjetër, por sa i takon politikës shtetërore ne nuk i kemi informata të tilla”, tha Sveçla.

Ministri shtoi se janë dëshmitar që grupet e ndryshme ekstremiste qoftë nga Serbia, Republika Srpska, Mali i Zi e Rusia kohë pas kohe kanë pasur ekskursione në Kosovë në të kaluarën.

“Ne suksesshëm i kemi menaxhuar dhe neutralizuar ata të cilët kanë qenë rrezik për Kosovën”, tha ai.

Për sigurinë në Kosovë, të mërkurën foli edhe shefi i NATO-s, Jens Stoltenberg.

Stoltenberg në fjalimin e tij për fundvit ka thënë se siguria në Kosovë është çelësi i stabilitetit në gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor. Stoltenbergu përmes një videomesazhi në platformën X falënderoi të gjithë aleatët për mbështetjen, dhe të gjithë trupat përfshirë dhe ato të KFOR-it në Kosovë.

“Dhe vetëm muajin e kaluar, pata një takim me trupat e KFOR-it në veri të Kosovës, duke ndihmuar në ruajtjen e një mjedisi të sigurt për të gjithë në Kosovën, i cili është çelësi për stabilitetin e rajonit më të gjerë të Ballkanit Perëndimor”, ka thënë ai.

Tutje Stoletenbergu tha se: “Në këtë periudhë të vitit, falënderimet dhe respekti im më i thellë shkon për forcat tona të NATO-s. Shërbimi i tyre na mban të sigurt dhe të lirë. Gëzuar festat dhe urimet më të mira për Vitin e Ri”.

- Advertisement -spot_img

Me te lexuarat...

- Advertisement -spot_img

Lajmet tjera...