Nuk është gjetur një zgjidhje për t’i dhënë fund përshkallëzimit të situatës në veri të Kosovës, as në takimet e ndara që Josep Borrel ka realizuar me kryeministrin Albin Kurti dhe me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Megjithëkëtë, Borrelli ka theksuar se është arritur pajtimi për nevojën e mbajtjes së zgjedhjeve të reja në komunat veriore, me pjesëmarrjen e plotë të serbëve.
Borell: Palët duhet t’u përmbahen detyrimeve
Përfaqësuesi i lartë i BE-së ka thënë se në takimet që i ka pasur të enjten me kryeministrin Kurti dhe me presidentin serb, Vuçiq, palëve u është rikujtuar edhe nevoja për zbatimin e detyrimeve nga marrëveshjet e fundit.
Kurti: Policia nuk mund të tërhiqet pa u tërhequr ekstremistët
Kryeministri Kurti ka shprehur gatishmërinë e Kosovës për organizimin e zgjedhjeve të reja në veri, si dhe për tërheqjen e policisë nga objektet komunale në katër komunat veriore, porse vetëm “pasi që të plotësohen kornizat ligjore për to”.
Vuçiq: Çdo gjë ka shkuar shumë larg
E presidenti serb, Vuçiq, duke e përshkruar përmbajtjen e takimit me Borrellin dhe Lajçakun, ka thënë se nuk mund të konfirmojë që “ka ndonjë udhërrëfyes” për daljen nga kriza në veri të Kosovës.
Rama: S’ka ecje përpara pa lirimin e policëve
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka ripërsëritur thirrjen që Serbia t’i lirojë tre policët e kidnapuar pasi, sipas tij, pa u bërë kjo s’ka hapësirë për të lëvizur përpara mes Kosovës dhe Serbisë.