Presidenti i AKR-së, Behgjet Pacolli ka komentuar takimin e së shtunës në Ohër mes kryeministrit Albin Kurti dhe Aleksandar Vuçiq.
Përmes një shënimi në Facebook ai ka thënë se tashmë ka një situatë të re dhe sipas tij duhet drejtuar së ardhmes.
“Tani është tepër vonë për të vajtuar apo lavdëruar atë që ndodhi, e djeshmja nuk ishte një ëndërr por një realitet. Në këtë situatë të re, t’i lëmë mënjanë ( për një moment) analizat e rrethanat pse e si ndodhi, inatet e lëvdatat dhe ti drejtohemi së ardhmes”, ka shkruar Pacolli.
“Nuk besoj se ka njeri në Kosovë që nuk i pëlqen perspektiva paqësore e rrugëtimit tonë”, vijon tutje Presidenti i AKR-së.
Ai u ka bërë thirrje subjekteve politike që ta mbështesin Kurtin në zbatimin e detyrimeve që dalin nga kjo marrëveshje.
“U bëj thirrje të gjitha partive politike, shoqërisë civile dhe çdo qytetari që të mbështes qeverinë në zbatimin me përgjegjësi të detyrimeve që dalin nga kjo marrëveshje. Nga ana tjetër, kryeministri duhet të kuptojë se bashkëpunimi me faktorë të tjerë në Kosovë është i pashmangshëm”.






