Kryeministri Albin Kurti është takuar me emisarin e Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.
Takimi, i cilësuar drekë pune, po mbahet në një restorant në kryeqytetin e Kosovës.
Telegrafi bën të ditur se edhe ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeff Hovenier, është pjesë e këtij takimi.
Kurti është pyetur nëse do të diskutojë për Asociacionin e dialogun me Serbinë, por ka hezituar të përgjigjet.
“E kemi edhe një drekë pune me emisarin e veçantë të Bashkimit Evropian për Ballkanin dhe për dialogun Kosovë-Serbi, Lajçak. E më pastaj do të mund të flasim për këto gjëra, pasdite. Do t’iu tregojmë se çfarë temash do të diskutojmë”, ka thënë Kurti.
Shefi i ekzekutivit është pyetur se a do të prezantojë gjashtë kushtet e tij për Asociacionin.
“Ata që dalin prej temës së rinisë, ata që nuk janë bash të rinj, mund të flasim edhe për Asociacionin e për dialogun, e për zotëri Lajçak edhe për zëvendësin tim Bislimi. Por, pasi të kryejmë takimin dhe drekën e punës”, ka shtuar ai.
Kurti, gjatë një interviste për Associated Press, ditë më parë tha se në vend të kësaj Perëndimi duhet të përqendrohet që ta bëjë Serbinë më demokratike dhe të largojë, ato që ai i quajti ide hegjemoniste të Beogradit.
“Qeveria serbe duhet të pranojë pavarësinë e të gjitha ish-republikave jugosllave në mënyrë që “të përballet me të kaluarën”. Ai theksoi se Beogradi duhet të anojë më shumë drejt Bashkimit Evropian dhe NATO, e jo drejt Rusisë”, u shpreh ai.
Kurti theksoi se nëse ata e çlirojnë veten nga ideja se Kosova ende i takon Serbisë, “ata do të jenë më demokratikë, më evropianë”./Telegrafi/