19/06/2024

Pas sulmit terrorist në veri, analistët: BE duhet ta rimendojë kornizën e dialogut Kosovë-Serbi

të fundit...

- Advertisement -spot_img

Pas sulmit të grupit të armatosur serb në pjesën veriore të Kosovës, njohës të zhvillimeve në Ballkanin Perëndimor kritikuan qasjen e bashkësisë ndërkombëtare në rajon dhe thanë se hapësira e lënë nga mungesa e angazhimit të Perëndimit në rajon, përfshirë procesin e stagnuar të integrimit evropian, ka krijuar një terren të përshtatshëm për tensione te vazhdueshme.

Sonja Biserko, drejtuese e Komiteti i Helsinkit për të Drejta të Njeriut në Beograd, ka pak mëdyshje se Beogradi zyrtar qëndron pas sulmit të grupit të armatosur serb në pjesën veriore të Kosovës.

Prej grafiteve që paralajmëronin kthimin e ushtrisë së Serbisë në Kosovë nëpër qytetet e Serbisë e deri te dëshmitë e gjetura nga autoritetet në Kosovë pas përballjes me grupin e armatosur, zonja Biserko thotë se ishte e qartë se diçka do të ndodhte dhe se Beogradi është përgjegjës.

Bazuar në informacionet e deritashme, thotë ajo, është e qartë që “disa forca nga Serbia shkuan në Kosovë për të provokuar një konflikt, në mënyrë që ushtria serbe të hynte dhe të vendoste vijën ndarëse me Kosovën te lumi Ibër.”

“Beogradi është i vetëdijshëm që ka shkelur vijën e kuqe dhe tani po mundohet, me çdo mjet, të zvogëlojë rolin e vet në këtë akt terrorist”, thotë Biserko, për Zërin e Amerikës.

Por, ajo fajëson edhe qasjen e Perëndimit ndaj Serbisë për këtë përshkallëzim.

Biserko thotë se bashkësia ndërkombëtare i ka injoruar paralajmërimet e udhëheqësve në Prishtinë ngaqë e sheh Serbinë si faktorin kryesor në rajon dhe për shkak të sulmit rus në Ukrainë.

“Beogradi shfrytëzoi mundësinë e kësaj tolerance nga Perëndimi përgjatë këtij një viti e gjysmë, që kur filloi agresioni rus ndaj Ukrainës, kur Perëndimi u rikthye në Ballkan, pas gati 15 vjet mungese angazhimi, për të parandaluar hapjen e një fronti të dytë dhe po shpresonin që ta sillnin Serbinë në Perëndim, gjë që nuk e kanë bërë dot”, thotë ajo.

Ajo shton se rajoni është në një pikë kritike; shtetet fqinje nuk i besojnë Serbisë dhe se prirja e përgjithshme në Ballkanin Perëndimor është negative.

“I tërë rajoni është i bindur se Beogradi ishte i përfshirë në këtë rast. Dhe do të shtoja se ky është synim i Beogradit për një kohë dhe po priste momentin që ta realizonte këtë synim, në Kosovë dhe gjetiu. Problemi i politikës dhe strategjisë së Perëndimit në rajon tani, është se për shkak të rëndësisë së Beogradit, që e konsiderojnë si përparësi të tyre, të gjitha shtetet fqinje janë neglizhuar dhe po u bëhet presion të bëjnë lëshime. Si në Kosovë, si në Mal të Zi, si në Bosnjë… Serbia po i minon të gjitha këto shtete vazhdimisht, sistematikisht”, thotë Biserko.

- Advertisement -spot_img

Me te lexuarat...

- Advertisement -spot_img

Lajmet tjera...