Pas takimeve me ndërmjetësuesin e BE për dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, Miroslav Lajçak, si dhe ambasadorin e SHBA-së, Kristofer Hill, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq deklaroi se do t’i adresohet publikut brenda 72 orëve për të folur mbi situatën aktuale në veri të Kosovës.

 

Ai shprehu kritika të ashpra ndaj kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, duke thënë se ai synon “shkatërrimin dhe dëbimin e popullit serb”.

Presidenti serb, Aleksandër Vuçiq, tha se në ditët e ardhshme do të prezantojë kërkesat e Serbisë në lidhje me situatën në veri të Kosovës dhe sulmet ndaj popullatës serbe. Vuçiç deklaroi se brenda 72 orëve do t’i drejtohet publikut për të paraqitur masat dhe për të komunikuar “çfarë komuniteti ndërkombëtar nuk ka përmbushur, çfarë kërkon Serbia dhe çfarë synon të bëjë.”

“Kur anuloni 5,800 vende pune dhe njerëzit nuk mund të kryejnë shërbime themelore për shkak të vendimeve të paligjshme të Kurtit, ndërsa nga Evropa dhe Quint-i vetëm vijnë fjalë dënuese, por nuk merren masa konkrete, ne duhet të ndërmarrim hapa që ose do të rikthejnë të drejtat ose të pranojmë se nuk jemi në gjendje të mbrojmë popullin tonë”, tha Vuçiq.

Presidentit serb ka shtuar se Serbia nuk do të heqë dorë nga mbrojtja e popullit serb në përputhje me “Kushtetutën e Serbisë dhe rezultatet e dialogut dhe marrëveshjet e nënshkruara, si Marrëveshja e Brukselit e vitit 2013 dhe marrëveshjet për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe të vitit 2015”. Gjithashtu ai shprehu gatishmërinë për dialog me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin.

Edhe pse deklaratat pas takimit nuk ishin paralajmëruar, Vuçiq, në një fjalim për disa medie, tha se kishte mbajtur takim edhe me ambasadorin e SHBA-së në Beograd, Kristofer Hill, i cili gjithashtu nuk ishte paralajmëruar për medie. Sipas Vuçiqit, marrëdhëniet bilaterale me SHBA-në janë në një “drejtim shumë të mirë”.

“Sa i përket dialogut, Serbia është gjithmonë për dialog. Unë jam i gatshëm të shkoj sot për të biseduar me Kurtin, të zhvilloj dialog në Bruksel, por, siç e kam thënë shumë herë, ne nuk do të lejojmë ndjekjen dhe shkatërrimin e popullit serb. Dhe është plotësisht e qartë se ky është bërë qëllimi i vetëm i qeverisë së Kurtit”, tha Vuçiq.

Presidenti i Serbisë njoftoi se gjatë muajit tetor Kuvendit të Serbisë do t’i paraqiten propozime të rëndësishme në lidhje me Kosovën. Pas takimit me Vuçiqin, Lajçak nuk u prononcua për medie, por para ardhjes së tij në Beograd, ai bëri të ditur se vizita kishte për qëllim përgatitjen e takimit të ardhshëm në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës.