Për ndotjen e mjedisit janë bërë shumë fushata sensibilizuese në vend , por edhe kritikuese. Njerëzit që ndotin ambientin shpesh vlerësohen si të papërgjegjshëm ndaj shoqërisë.
Parandalimi i ndotjes së mjedisit është kyç për përmirësimin e shëndetit dhe mirëqenies së qytetarëve veçanërisht për grupet e ndjeshme si fëmijët, të moshuarit dhe njerëzit më të varfër.
Me një problem të tillë përballen shumë komuna në Kosovë. Numri i madh i deponive ilegale të mbeturinave vazhdon të mbetet sfidë për shumë komuna.
Por viteve të fundit, bashkëpunimi i qytetarëve me komunat ka nisur të jap rezultate të mira në menaxhimin e këtij problemi.
Raportimet e qytetarëve në platforma të ndryshme së fundmi edhe përmes platformës ndreqe.com, u ka lehtësuar punën komunave për të ndërhyrë në vendet problematike.
Gojart Bajrami, zyrtar për menaxhimin e mbeturinave në Komunën e Shtimes, ka thënë për Telegrafin se mbi 90% të raportimeve që janë bërë në platformën e ndreqe.com janë rregulluar.
“Nuk kam qenë shumë i qasshëm në platformën e ndreqe.com realisht nuk e di sa ka raportime aty me numër por jam shumë i sigurt që mbi 90% të raportimeve janë të rregulluara”, tha Bajrami.
Ai më tej theksoi se aktualisht në territorin e Komunës së Shtimes ekzistojnë 23 deponi ilegale që sipas tij janë më pak krahasuar me vitet e mëparshme.
“Duke marrë parasysh gjendjen e viteve të mëhershme që ka pas më shumë deponi ilegale në territorin e Komunës së Shtimes, viteve të fundit ka më pak. Gjithherë kemi tentuar me ba kontrata të veçanta ose me angazhu një kompani tjetër për me largu deponitë ilegale, në forma të ndryshme i kemi eliminu ato dhe aktualisht kemi 23 deponi ilegale në komunën e Shtimes”, tha Bajrami.






