Sot po mbahet dita e dytë e Samitit Paqës dhe të Demokracisë.
Në fjalimin e rastit nga përfaqësuesi i Ambasadës së Gjermanisë Matthias Conrad, ka thënë se Bashkimi Evropian nuk është i plotë pa Ballkanin Perëndimor.
Ai përmendi edhe tensionet në veri dhe mes tjerash edhe rastin e tentimit të revokimit të licencës së Klan Kosovës.
“Ka progres në disa fusha, dhe regres në disa të tjera. Kosova ka pasur uljet dhe ngritjet e veta, duke përmendur këtu edhe rritjen e tensioneve në veri, sfidat për licencën e Klan Kosovës, atë të prokurorisë. Pa Ballkanin Perëndimor BE-ja mbetet e pa kompletuar”, tha Conrad.
“BE-ja vetë duhet të jetë gati për raundin e ardhshëm të zgjerimit. Shoqëria civile ka zë të fortë dhe duhet ta bëjë zërin e vetë që të dëgjohet. Mungesa e një rruge të qartë drejt BE-së ka krijuar sentiment jo të lehtë në këtë aspekt”, tha ai
“Në këtë periudhë ku demokracia po sfidohet, jo vetëm në nivelin global. Duhet të vazhdojmë të punojmë sa më shumë. Kemi shumë punë për të bërë, sepse këto procese kërkojnë angazhim të madh. Kjo konferencë është shumë e rëndësishme pikërisht për këtë”, u shpreh përfaqësuesi i Ambasadës.
Në këtë ditë po mbahet paneli i katërt me temën “Ruajtja e Demokracisë: Adresimi i praktikave të prapambetura dhe joliberale në Ballkanin Perëndimor”.