16/04/2024

Përfaqësuesit e bujqve ankohen për ndarjen me vonesë të granteve

të fundit...

- Advertisement -spot_img

Ministria e Bujqësisë akoma nuk e ka shpallur listën e përfituesve të granteve për vitin 2023. Nga kjo ministri kanë thënë se listat përfundimtare do të shpallen deri në qershor. Përfaqësues të bujqve vonesat për shpalljen e përfituesve të granteve i shohin si të pa arsyeshme e që ndikojnë negativisht në zhvillimin e bujqësisë.  Për këto grante janë regjistruar 1 mijë 887 aplikime.

Ndryshe nga vitet e më hershme, thirrja për aplikim për grante në bujqësi për vitin 2023, u hap në nëntor e u mbyll në mes të dhjetorit. Ishte planifikuar ndarja e mbi 24 milionë eurove mbështetje për bujqit, por kjo akoma nuk ka ndodhur teksa përfituesit ende nuk dihen.

Radio Kosova ka pyetur në Ministrinë e Bujqësisë se kur pritet të shpallet lista e përfituesve të granteve për vitin 2023 dhe cilat janë arsyet e mos publikimit të listës. Nga kjo ministri është thënë se listat përfundimtare të përfituesve do të shpallen kohë pas kohe, muajve në vijim.

“Më 7 shkurt të këtij viti në ueb faqen e Agjencisë për Zhvillimin e Bujqësisë është publikuar Lista e Vlerësimit preliminar për nënmasën e pemëve manore. Listat e Vlerësimit për nënmasat e tjera do të publikohen sapo vlerësimi i projekteve përkatëse të jetë përfunduar dhe marrë parasysh numrin e madh të aplikuesve, listat përfundimtare të të gjithë përfituesve do të shpallen kohë pas kohe dhe pritet që i tërë procesi i vlerësimit të zgjasë deri në qershor të vitit 2024”, thuhet në përgjigjen me shkrim të MBPZHR-s.

Vonesa në shpalljen e përfituesve të granteve është e pa arsyeshme, thotë Tahir Tahiri, kryetar i Federatës së Bujqve.

“Vonesa e publikimit të listave të përfituesve dhe dhënia e të drejtës për granate në fund të prillit apo në maj është dështim total, sidomos për ata që aplikojnë për pemishte apo ndërtimin e stallave. Në këtë mënyrë në njëfarë forme është çrregulluar në tërësi metoda e organizimit për dhënien e granteve”, tha ai.

Ndërsa kryesindikalisti i bujqve thekson se vonesa në ndarjen e granteve ka efekte negative për zhvillimin e bujqësisë.

“Vonesa po ndikon që bujqit të dështojnë. Për shembull, aplikuesit për ngritjen e pemishteve edhe nëse përfitojnë grantin nuk mund të realizojnë projektet, sepse pemët nuk mbillen në qershor e korrik. Për ne kjo është keqpërdorim i buxhetit të shtetit, pasi bujqit kanë telashe e nuk mund të përfitojnë nga ato investime”, tha Tahiri.

Sipas Ministrisë së Bujqësisë për mbështetje në kuadër të masave të Programit të Zhvillimit Rural 2023, janë dërguar 1 mijë 887 aplikime./RTK/

- Advertisement -spot_img

Me te lexuarat...

- Advertisement -spot_img

Lajmet tjera...