Në Tiranë, përfaqësues të qeverisë dhe të diasporës shqiptare zhvilluan një tryezë të rrumbullakët në Ditën Kombëtare të Diasporës.
Në këtë takim u diskutua mbi të drejtën e votës së diasporës, si dhe mbi nismën e qeverisë për një amnisti fiskale, e cila është kritikuar nga ndërkombëtarët.
Këshilli Koordinues i Diasporës shqiptare zhvilloi sot një takim të përbashkët me drejtuesit e qeverisë dhe institucione të tjera në Tiranë në Ditën Kombëtare të Diasporës, në përpjekje për të bashkërenduar veprimet në një seri fushash, si të drejtat njerëzore, përgjegjësit politike, investimet dhe çështje shoqërore.
Drejtuesi i Këshillit Koordinues, Mark Gjonaj, tha në tryezën e rrumbullakët se pasuria e Shqipërisë është populli shqiptar, që jeton brenda dhe jashtë vendit në 4 anët e botës, se pavarësisht nga largësia gjegrafike, ata i bashkon me atdheun dashuria për gjuhën, kombin, kulturën dhe trashëgiminë kombëtare.
Ai theksoi se diaspora nuk sheh ndonjë dallim midis shqiptarëve brenda apo jashtë vendit, dhe se nevojitet një bashkëpunim i fuqishëm për punë të mëdha.
“Roli i diasporës duhet të plotësohet dhe të njihet, ka ardhur dita e koha që Shqipëria autoritetet të na trajtojnë si partnerë dhe si pasuri e vlerëshme. Diaspora nuk është një eksperiment social, ose projekt. Asnuk jemi një bankë për para. Diaspora është një grup madhështor, me influencë, me fuqi dhe me shumë vlerë. Kërkesa e diasporës: Mbroni diasporën, sepse ne jemi një thesar kombëtar. Investoni tek ne, që ta mbajmë gjuhën, kulturën gjallë”, tha zoti Gjonaj.
Ai tha se Shqipëria mund ta tregojë sa e do diasporën, duke e lejuar të votojë në zgjedhjet e ardhshme, si një e drejtë, detyrë e përgjegjësi qytetare e saj, ndaj të mos vonojë më aktet nënligjore, sepse një e drejtë e vonuar, një drejtësi e vonuar është një drejtësi e mohuar.