Protestuesit e mbledhur para stacionit policor të Mitrovicës së Veriut u shpërndanë pasi autoritetet liruan dy politikanët serbë, që u arrestuan më herët gjatë 8 gushtit.
Alleksandar Arsenijeviq dhe Stefan Vellkoviq nga partia Demokracia Serbe, u arrestuan në Mitrovicë të Veriut, për pengim të zyrtarëve që po lyenin murin afër urës kryesore mbi Ibër.
Kjo shtyri serbët e punësuar në institucionet publike serbe në Mitrovicë të Veriut që të protestonin. Në mesin e protestuesve kishte edhe udhëheqës të Listës Serbe, partisë kryesore të serbëve që gëzon mbështetjen e Beogradit.
“Arsenijeviq u arrestua për pengim të një zyrtari gjatë kryerjes së detyrës dhe për mosdëgjimin e urdhrave të policisë.Ne kemi marrë informacionin në jug, prokurori është aty dhe thotë se do të marrë deklaratën e tyre, do të ndiqet procedura normale dhe ata do të lirohen deri në orën 18:00”, tha më herët zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Veton Elshani, për gazetarët në Mitrovicë të Veriut.