Në konferencën për shtyp te Lille, Zhegrova ka thënë se është zemëruar për rastin pasi ishte federata që mori vendimin dhe jo trajneri. Por, ylli dardan, ka thënë se çështja është zgjidhur.

“Po, me të vërtetë, diçka e vogël ndodhi me përzgjedhjen. Arrita vonë në një takim dhe ajo që më zemëroi pak më shumë ishte se ishte federata ajo që e mori vendimin dhe jo trajneri, por e di që jam profesionist. Tash, është në të kaluarën. Çështja është zgjidhur dhe ne ecim përpara”, ka deklaruar sulmuesi kosovar.

Edon Zhegrova, Arijanet Muriq dhe Florent Muslija ishin përjashtuar nga kombëtarja e Kosovës pas ndeshjes me Rumaninë.

FFK-ja kishte lëshuar një komunikatë për shtyp ku kishte treguar se përjashtimi ka ndodhur pasi ishte thyer rregullorja e brendshme dhe trajneri Foda kishte marrë vendimin për përjashtimin e tre futbollistëve.

Treshja e futbollistëve nuk ishin në ndeshjen ndaj Qipros dhe mbetet të shihet nëse ata do të jenë në tetor në listën e Fodës kur Kosova luan ndaj Lituanisë në udhëtim dhe ndaj Qipros në Prishtinë.