22/06/2024

Policët 12 orë në punë por pa shtesa për rrezikshmëri, kreu i PK: Situata të rënda në veri

të fundit...

- Advertisement -spot_img

Drejtori i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha deklaroi se në tre muajt e fundit nuk është paguar rrezikshmëria në punë për policët, ndërkohë që këta të fundit janë të angazhuar me nga 12 orë punë që prej 26 majit kur në veri të vendit serbët protestuan kundër kryetarëve shqiptarë të dalë nga zgjedhjet e 23 prillit.

Ai shtoi se presin që gjatë këtij muaji të ndodhë një gjë e tillë. Para anëtarëve të Komisionit për çështje të sigurisë, ai foli edhe për mungesën e uniformave, ku u shpreh se ka të bëjë me procedura të tenderimit. Po ashtu, Hoxha foli edhe për rastet e trajtuara gjatë vitit 2022, ku theksoi se kanë shënuar rritje ato të dhunës në familje.

Me fillim të raportimit para anëtarëve të komisionit, Hoxha ka kërkuar që për situatën në veri, komisioni të vijojë me dyer të mbyllura. Raportimi i këtij të fundit ka vazhduar pa prezencën e mediave.

Ai tha se gjatë vitit 2022, aktivitetet e realizuara kanë pasur për fokus rendin dhe ligjin në komunat veriore të Kosovës.

“Fatkeqësisht edhe këtë vit, jemi përballur me situata të rënda në fushën e mbrojtjes së rendit dhe sigurisë publike, sidomos në veri të vendit. Me aktivitete të cilat kanë pasur për qëllim pengimin e zbatimit të ligjit në mënyrë të drejtë, të barabartë për të gjithë qytetarët. Policia e Kosovës me përkrahjen edhe të institucioneve të tjera shtetërore, por edhe të qytetarëve ka arritur të menaxhojë situatën me maturi dhe profesionalizëm. Gjatë vitit 2022, aktivitetet policore kanë pasur fokus rendin dhe ligjin në komunat veriore të Kosovës. Ku kemi pasur bllokim të rrugëve përmes barrikadave, aktivitete penguese ndaj zyrtarëve policorë, por edhe aktivitete tjera kriminale. Falë angazhimit tonë është shtuar aktiviteti policor në parandalimin dhe luftimin e krimit, kontrabandës dhe aktiviteteve të tjera të jashtëligjshme. Janë mbyllur rrugët ilegale, të cilat janë shfrytëzuar nga strukturat kriminale për aktivitete të kontrabandës ndërkufitare. Në atë zonë ne kemi rritur kapacitetet tona si në infrastrukturë por edhe në kapacitete të burimeve njerëzore”, deklaroi ai.

I pyetur nga kryetari i komisionit, Bekë Berisha, për pagesën e rrezikshmërisë në punë, Hoxha ka thënë se nuk janë paguar në tre muajt e fundit.

“Rrezikshmëria nuk është paguar gjatë këtyre tre muajve të fundit, mirëpo jemi në komunikim me Ministrinë e Brendshme, Ministrinë e Financave. Këtë muaj presim që të paguhet dhe të caktohet, është një komision që është duke punuar brenda Qeverisë së Kosovës dhe nga Ministria e Punëve të Brendshme për të adresuar çështjen e rrezikshmërisë së Policisë së Kosovës”, është përgjigjur drejtori i Policisë së Kosovës, raporton kp.

Po ashtu, ai tha se njësia speciale është pajisur me uniforma të reja, për pjesëtarët tjerë të PK-së, ai shtoi se është çështje e mungesës së fondeve por procedurave të Ligjit të prokurimit.

“Policët e Kosovës, gjithë këta që janë të angazhuar në operacione kanë uniforma të reja. Vitin që shkoi janë furnizuar të gjithë me uniformë, me çizme me gjithë atë që është e nevojshme. Sa i përket rendit publik është një tender që është në proces e sipër edhe tani kanë me sa e di unë ka shkuar në OShP”, ka shtuar ai.

Hoxha theksoi se edhe në vitin 2022 zyrtarët policorë kanë qenë të sulmuar nga grupe kriminale dhe individë, ku të njëjtit janë lënduar dhe plagosur. Për të përmbushur të gjitha këto obligime me sukses, ai shtoi se Policia e Kosovës gjatë vitit të kaluar ka pasur në dispozicion 120 milionë euro, ku 93 për qind e buxhetit është shpenzuar.

Para anëtarëve të Komisionit për çështje të sigurisë dhe mbrojtjes, Hoxha bëri të ditur se gjatë vitit të kaluar janë ndaluar mbi 5600 persona për shkak të dyshimeve për përfshirje në vepra kriminale.

Gjithashtu, drejtori i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha deklaroi se ka përfunduar konkursi për policë në veri. Ai nuk ka dhënë detaje se sa është numri i kandidatëve që kanë aplikuar për këtë konkurs, veçse tha se ky është numër i mjaftueshëm.

Kështu njoftoi ai pas përfundimit të komisionit për çështje të sigurisë dhe mbrojtjes, ku diskutimi për situatën në veri është bërë me dyer të mbyllura.

“Ka përfunduar (konkursi për policë) dhe kanë aplikuar numër i mjaftueshëm”, është përgjigjur shkurt ai para mediave.

Me fillim të raportimit para anëtarëve të komisionit, drejtori i Policisë ka kërkuar që diskutimi për veriun të mos jetë i hapur për media.

- Advertisement -spot_img

Me te lexuarat...

- Advertisement -spot_img

Lajmet tjera...