Policia e Kosovës ka thënë të mërkurën se do t’i intervistojë pesë persona, të dyshuar për “falsifikim të dokumeteve”, lidhur me pesë institucionet paralele serbe, në veri të Kosovës, të cilat janë mbyllur më 30 gusht.
Policia i ka thënë Radios Evropa e Lirë se i ka bërë katër ftesa, ndërsa e pesta do të dërgohet më vonë.
Policia nuk ka bërë të ditur se për kë saktësisht bëhet fjalë.
Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për veriun, Veton Elshani, ka thënë se intervistat do të realizohen me kërkesë të Prokurorisë.
Ata janë arrestuar më 30 gusht në një aksion policor të kryer njëkohësisht në disa lokacione në veri të Kosovës.
Institucionet e mbyllura më 30 gusht ishin: Qarku i Mitrovicës së Kosovës, Komuna paralele e Mitrovicës, Komuna paralele e Zveçanit, Komuna paralele e Zubin Potokut dhe Komuna paralele e Leposaviqit.
Në disa nga objektet që më herët janë përdorur nga institucionet paralele, ditëve të fundit janë vendosur pllaka që tregojnë se tani ato do të përdoren si zyra për disa nga ministritë e Kosovës dhe departamentet e tyre.
Punëtorët e atyre institucioneve paralele kanë protestuar dy ditë kundër mbylljes së tyre.