Policia e Shtetit ka hartuar një plan masash me qëllim garantimin e mbarëvajtjes së protestës që do të mbahet pasditen e sotme në sheshin ‘Skënderbej” në Tiranë në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së.
Në këtë kuadër, Policia ka bërë me dije se do të ketë bllokim të përkohshëm të qarkullimit në Bulevardin e Ri nga ora 17:00 deri rreth orës 19:00.
“Plane të posaçme veprimi janë hartuar dhe kanë nisur zbatimin, me qëllim garantimin e mbarëvajtjes së tri aktiviteteve me pjesëmarrje të lartë, që do të zhvillohen në kryeqytet gjatë ditës së sotme dhe gjatë fundjavës. Planet synojnë gjithashtu të lehtësojnë trafikun, të orientojnë qytetarët dhe të garantojnë sigurinë publike.
Në këtë kuadër, informojmë qytetarët se: -do të ketë bllokim të përkohshëm të qarkullimit në Bulevardin e Ri, gjatë zhvillimit të tubimit të sotëm në sheshin “Skënderbej”, konkretisht prej orës 17:00 deri rreth orës 19:00”, thuhet në njoftim.
Protesta Gjithëkombëtare “Unë jam UÇK” zhvillohet për të denoncuar procesin gjyqësor që po mbahet në Hagë kundër ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe disa ish-kryeparlamentarë të vendit, të akuzuar se kanë kryer krime lufte gjatë konfliktit me Serbinë.
Qindra qytetarë janë nisur nga Kosova drejt Tiranës për t’iu bashkuar protestës. Protestës pritet t’iu bashkohen dhe figura politike nga Shqipëria, kryesisht nga mazhoranca, ndërsa opozita ka bërë me dije se nuk do jetë pjesë e saj.