Qeveria e Kosovës në lidhje me grevën e minatorëve të “Trepçës” është zotuar për angazhim në gjetjen e një zgjidhjeje, por duke theksuar se përkrahja financiare varet nga zotimi se do të ulen shpenzimet dhe do të rifillojë rritja e prodhimit.
Qeveria pret që ndërmarrja të marrë masa që rrisin kontrollin e brendshëm operativ e financiar, si dhe reforma rrënjësore që transformojnë afarizmin e tyre.
Sipas qeverisë, i është dhënë mbështetje “Trepçës” gjatë gjysmës së parë të këtij viti, por ajo “ka operuar me humbje si rezultat i ngecjeve në prodhim dhe të hyrave të pamjaftueshme”.
Qeveria ka treguar edhe pritjet që ka tani nga menaxhmenti i kësaj ndërmarrjeje.
“Ministria e Ekonomisë në mënyrë të vazhdueshme ka inkurajuar menaxhmentin e ndërmarrjes për të optimizuar shpenzimet. Së fundmi, me pranimin e kërkesës së ndërmarrjes për ndarjen e mjeteve financiare shtesë, Ministria e Ekonomisë dhe Qeveria e Republikës së Kosovës ka kërkuar nga Bordi mbikëqyrës dhe menaxhmenti që të prezantojnë një plan veprimi. Ne presim që të adresohen në mënyrë të qartë, efektive dhe të qëndrueshme sfidat e ndërmarrjes”, theksohet tutje.
Sot, minatorët e kanë nisur mëngjesin e 23-të të grevës së tyre.
Minatorët e minierës së Trepçës kanë hyrë në grevë për shkak se tashmë janë bërë dy muaj që ata nuk i kanë marrë pagat e tyre.
Pagat e muajit qershor dhe korrik ende nuk janë ekzekutuar për punëtorët e kësaj ndërmarrje.