Përkundër se ka kaluar një muaj që kur Gjykata Komerciale e Kosovës ia ka ndaluar kompanisë “VisaMetric” që t’i detyrojë aplikantët të paguajnë shërbimin postar për t’u kthyer pasaportat kur ata aplikojnë për viza në Ambasadën gjermane në Kosovë, kjo kompani ende po vazhdon të marrë nga 30 euro nga qytetarët për këtë shërbim.
Numri i madh i aplikuesve vazhdojnë të paguajnë nga 30 euro për marrjen e pasaportës në shtëpi, krahas shumë pagesave që detyrohen të bëjnë në mënyrë që të marrin një vizë.
Avokati, Flamur Abdullahu, i cili ka paditur këtë kompani në Gjykatën Komerciale, ka thënë për Telegrafin se mos respektimi i vendimit përben vepër penale.
Abdullahu në një deklaratë të dhënë për Telegrafin ka potencuar se tashmë me rastin duhet të merret Prokuroria.
“Çdo vendim i Gjykatës që është i formës së prerë, siç është në këtë rast prej dy shkallëve, pala që nuk e respekton vendimin, veprimet e tij janë vepër penale, kështu që ata si kompani biznes thirren me përgjegjësi penale, për mos përfillje të Gjykatës, këtë rast për mos respektim të vendimit. Por, për këtë rast duhet të merret prokuroria edhe palët që bëjnë terminë dhe paguajnë postën”, është shprehur ai.
Gjithashtu, avokati Abdullahu theksoi se tashmë janë duke pritur edhe një seancë gjyqësorë ku çështja do të jetë për kthimin e parave të konsumatorëve të dëmtuar.
“Sa i përket kthimit të pagesave që kjo kompania ka marrë në mënyrë joligjore, ne jemi tu prit Gjykatën Komerciale që të caktojë seancën e radhës për çështjen material, pra kthimin e pagesës për të gjithë konsumatorët që janë dëmtuar nga këto veprime të VisaMetric”, tha ndër tjera ai.
Avokati tha se nuk posedon të dhëna të sakta për numrin e aplikuesve që kanë paguar për këtë shërbim, por që sipas tij, numri mund të jetë rreth 50 mijë qytetarë.
Siç tha avokati, këtë punë e ka nisur personalisht duke parë që po shkelen të drejtat e konsumatorëve.
“Këtë punë e kam nisur personalisht si avokat, tu e pa që janë tu shkel të drejtat e konsumatorëve, tash presim edhe pjesën e dytë të gjykatës që është padia kolektive, që unë do ta përfaqësoj grupin e qytetarëve të dëmtuar”, u shpreh ai.
Në anën tjetër, Telegrafi ka kontaktuar me avokatin Fisnik Salihu, i cili është përfaqësues i autorizuar i kompanisë “VisaMetric”, për të pyetur se pse nuk po zbatohet vendimi i Gjykatës Komerciale, i njëjti deklaroi se deri tani nuk kanë pranuar vendimin./telegrafi