Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka hedhur kritika të ashpra ndaj qytetarëve shqiptarë, të cilët sipas tij janë ndotësit më të mëdhenj të parqeve dhe pikave turistike në vend, e jo turistët e huaj.
Gjatë një aktiviteti të zhvilluar për sezonin turistik veror, Rama tha se në zonat më të bukura turistike shfaqen edhe grumbujt më të mëdhenj të mbeturinave.
“Turistë jo anglisht, spanjisht, frëngjisht, italisht folës por shqip folës, nga Shqipëria, nga Kosova, nga Maqedonia e Veriut. Shqipe që mblidhen për të shijuar bukuritë dhe për të shijuar pushimet që ndalojnë dhe në pikat turistike panoramike, bëjnë dhe selfie ‘oh sa e mirë je ti moj Shqipëria ime’ dhe në të njëjtën kohë shkarkojnë plehrat nga veturat e tyre.”, tha Rama.
Ai theksoi se ndotja është më e dukshme pikërisht në hapësirat ku qytetarët ndalojnë për të pushuar dhe fotografuar.
“Dhe po të shikosh pikat panoramike, po të shikosh pikat ku është e mundur të ndalohet janë dhe pikat ku ka grumbullimet më të mëdha të plehrave të përdorimit personal që hidhen dhe jam i bindur që ndotësit më të mëdhenj janë ulëritësit më të mëdhenj të stadiumit kombëtar, jam i bindur që ndotësit më të mëdhenj janë ta që thyejnë karriget në stadium dhe që synojnë t’i kthejnë në luftëra ndeshjet kur ato qëllon që të jenë me Serbinë apo me ndonjë tjetër që këta janë gati ta luftojnë në stadium. Ndërkohë këta janë ndotës të Shqipërisë kur vjen puna tek qëndrimi në plazh.”, tha tutje Rama.