Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka thënë se nëse nuk lirohen tre policët e Kosovës nga autoritetet serbe, këtë javë atëherë “do të rikthehet akulli” në marrëdhëniet bilaterale mes Shqipërisë dhe Serbisë.
Këtë deklaratë ai e ka publikuar në rrjetin social Twitter, teksa ka shpërndarë kërkesën e Departamentit Amerikan të Shtetit për presidentin serb Aleksandar Vuçiq që të lirojë tre policët e Kosovës, të cilët u kidnapuan javën e kaluar nga forcat serbe.
“Sa më shumë mbahen në Serbi këta tre burra që edhe sikur ta kenë shkelur vijën e kufirit s’kanë kryer asnjë krim, aq më pak do jetë e mundur që marrëdhëniet tona bilaterale të mos bëjnë shumë hapa mbrapa! Kjo do jetë java e rikthimit të akullit mes nesh nëse ata nuk lirohen!”- ka shkruar Rama në Twitter.