“Është thelbësore që ligji të harmonizohet plotësisht me standardet e BE-së dhe ato ndërkombëtare,” thekson raporti.

Komisioni thekson se Radiotelevizioni i Kosovës (RTK) vazhdon të përballet me mungesë të pavarësisë financiare dhe probleme serioze strukturore.

“Nuk ka pasur progres në gjetjen e një modeli të qëndrueshëm, afatgjatë dhe të pavarur të financimit për transmetuesin publik,” theksohet në raport.

Raporti shton se pozita e drejtorit të përgjithshëm të RTK-së është bosh që nga shtatori 2024, ndërsa Bordi i RTK-së është pa kuorum që nga dhjetori 2024, duke e bërë transmetuesin publik “jofunksional dhe të paaftë për ta përmbushur rolin e tij në mënyrë efektive.”

Në janar 2025, drejtori i RTK2 i ka dërguar letër institucioneve të Kosovës dhe bashkësisë ndërkombëtare, duke paralajmëruar për “përkeqësimin e gjendjes së kanalit për shkak të mungesës së buxhetit dhe mosfunksionimit të bordit.”

Tutje raporti thekson se 75% e buxhetit të RTK-së shkon për paga, ndërsa ndërtesa ku ndodhet institucioni është në gjendje shumë të keqe dhe nuk është në pronësi të transmetuesit publik.

“Ngërçi politik që paralizon Kuvendin dhe mungesa e reformave ligjore kërcënojnë pavarësinë financiare dhe funksionimin e RTK-së,” paralajmëron raporti.

Sektori medial në Kosovë, sipas Komisionit Evropian “vuan nga mungesa e transparencës në pronësinë dhe financimin e mediave.”

Regjistri aktual përfshin vetëm radio dhe televizione të licencuara, ndërsa të dhënat për pronarët përfundimtarë dhe pjesën e tregut “nuk janë të disponueshme.”

“I kombinuar me mungesën e qëndrueshmërisë financiare, kjo e bën sektorin ose të varur nga donatorët e huaj ose të prekshëm ndaj ndikimit politik dhe presionit financiar”, thekson raporti.

Komisioni tutje shton se mediat e pavarura, veçanërisht ato të komuniteteve jo-shumicë, ende nuk kanë fonde të mjaftueshme.

Sa i përket kushteve të puëns dhe sigurisë profesionale, raporti nënvizon se kushtet e punës për gazetarët mbeten të dobëta, me paga të ulëta, kontrata afatshkurtra dhe status të pasigurt ligjor.

Këshilli i Mediave të Shkruara ka zgjedhur një kryetar të ri dhe ka ndryshuar statutin për ta rritur efikasitetin e tij, ndërsa transmetuesi publik mbetet e vetmja media me sindikatë.