Grupet shqipfolëse janë bërë faktorë kryesorë në tregun e kokainës në Evropë, duke u mbështetur në një rrjet të gjerë bashkëpunëtorësh të diasporës shqiptare, si dhe shpesh duke bashkëpunuar me grupet kriminale italiane, sipas raportit të fundit të Zyrës së Kombeve të Bashkuara për drogën dhe krimin (UNODC).
Raporti Global i Kokainës 2023 e ka vënë theksin ndër të tjera në rritjen e rolit që kanë grupet shqipfolëse në trafikun global të kokainës.
Raporti shton se sipas autoriteteve italiane, rritja e trafikut të kokainës në Evropën Juglindore, sinjalizon konsolidimin e mëtejshëm të organizatave kriminale ballkanike, të cilat janë në gjendje të krijojnë marrëdhënie të ngushta bashkëpunimi si me grupet kriminale në vendet prodhuese, ashtu edhe me trafikantët evropianë.
Grupet kriminale shqiptare dhe nga vendet e tjera ku flitet shqip, kanë zgjeruar ndikimin e tyre nëpër Evropë. Shkak për këtë mendohet të jetë ndihma nga rrjeti i madh i diasporës, shoqëruar me emigrimin e shqiptarëve nga Shqipëria dhe shqiptarëve të Kosovës, gjatë luftës në Kosovë në vitet 1998 – 1999.
Sipas autoriteteve italiane, ky rrjet ka kontribuar në vendosjen e marrëdhënieve fitimprurëse me grupet kriminale në vendet e tjera, si dhe ka lejuar grupet shqiptare të depërtojnë në tregje të ndryshme të paligjshme nëpër Evropë.
Grupet e krimit të organizuar italian, veçanërisht ‘Ndragheta por edhe Camorra, dhe grupet shqipfolëse, menaxhojnë rrjete të gjera ndërkombëtare, për të orkestruar importin e kokainës në Itali, shpeshherë duke bashkëpunuar me njëri-tjetrin.
Raporti e vë theksin dhe në rolin që kanë grupet shqipfolëse në shtetet e tjera të Evropës. “Grupet shqipfolëse kryejnë shitje me shumicë të kokainës në shumë pjesë të Evropës, veçanërisht në Mbretërinë e Bashkuar dhe Holandë.
Duket se ata mund të menaxhojnë rrjetet e shpërndarjes së kokainës në të gjithë Evropën, me një shkallë të lartë koordinimi ndërkombëtar, përveç krijimit të marrëdhënieve të drejtpërdrejta me furnitorët në Amerikën Latine”.