Ambasada Gjermane është deklaruar lidhur me rastin e VisaMetric, kompani kjo e cila merrte 30 euro nga qytetarët për shërbimin postar për pasaporta gjatë aplikimit për vizë në këtë ambasadë.
Pas padisë së avokatit Flamur Abdullahu, Gjykata Komerciale e Kosovës i ka ndaluar VisaMetric që të ketë vetëm mundësinë për marrjen e pasaportës vetëm për saj, duke ia lënë kështu mundësinë qytetarëve që të zgjedhin nëse duan ta marrin pasaportën përmes VisaMetric, apo duan ta tërheqin vet.
Pas vendimit të Gjykatës Komerciale, sot Ambasada gjermane ka dalë me një deklaratë.
Nga kjo Ambasadë kanë thënë se po e ndjekin me vëmendje procesin gjyqësor të arrestimit të drejtorit të VisaMetric.
Njoftimi i Ambasadës Gjermane:
Ambasada është në dijeni për arrestimin e drejtorit të qendrës për pranimin e aplikacioneve për viza të VisaMetric dhe, me vëmendje po ndjek procesin gjyqësor ndaj tij.
Pasditen e datës 16 maj 2023, ambasada për herë të parë mësoi për vendimin e Gjykatës Komerciale kundër VisaMetric, në të njëjtën ditë, kur VisaMetric përmes avokatit të saj edhe pranoi vendimin e shkallës së dytë.
VisaMetric, menjëherë pasi mësoi për aktgjykimin, në konsultim me Ministrinë e Punëve të Jashtme në Berlin dhe Ambasadën Gjermane në Prishtinë, filloi zbatimin e tij.
Pas kësaj, dhe që nga dita e nesërme, të gjithë aplikantëve u është dhënë mundësia që në momentin e parashtrimit të kërkesës të zgjedhin mes tërheqjes personale dhe kthimit të pasaportës përmes shërbimit postar me kosto shtesë, si në procedurën e deritashme.
Personat të cilët nga data 17 maj vendosin për tërheqje personale të pasaportës, ndërsa gjatë caktimit të terminit kanë paguar shërbimin postar për kthimin e pasaportës, do të rimbursohen./sinjali