Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abidxhiku ka reaguar pas publikimit të draft-statutit të përpiluar nga Ekipi Menaxhues për Asociacion, të cilin Telegrafi e publikoi ditën e hënë.
Abdixhiku ka thënë se ky draft-statut është më tepër as Asociacion, sipas tij është shtet brenda shtetit, transmeton Telegrafi.
“Dokumenti i draft-statutit, i përpiluar nga Ekipi Menaxhues, e i bërë publik në medie është më tepër se Asociacion dhe është më tepër se Autonomi – është shtet brenda shtetit; Republikë brenda Republikës. Ky draft-statut, në të 67 nenet e në nëntë kapitujt e tij, projekton Federalizimin e Kosovës si koncept të ri organizativ pas shpalljes së pavarësisë”, thotë ai.
Kreu i LDK-së tutje në reagim ka thënë se një trup që nxjerr ligje, nuk ka vend në rregullimin tonë shtetëror.
“Një trup që nxjerrë ligje, menaxhon asete kombëtare, pasuri publike e burime natyrore, një trup që organizon zgjedhje, mbanë referendume e merr kompetenca nga Kuvendi dhe Qeveria e Kosovës – nuk ka vend në rregullimin tonë shtetëror e kushtetues. Si i tillë, ai jo vetëm që duhet të refuzohet si bazë negociuese por dhe të refuzohet si ambicie politike. Në Kosovë nuk do të ketë parti, nuk do të ketë qeveri e nuk do të ketë njeri që mund ta pranojë një organizim të tillë”, ka pohuar ai./telegrafi






