Ylli Shala, menaxher i projektit në Agjencinë e Statistikave, ka njoftuar se numri i persona jorezidentë, që jetojnë jashtë vendit e që të njëjtin kanë marrë pjesë në regjistrimin e popullsisë 2024, është rreth 600 mijë.
Megjithatë sipas tij, ky numër pritet të rritet për shkak se procesi i regjistrimit të popullsisë për diasporë ende nuk ka përfunduar.
Ai theksoi se ky proces pritet të përfundojë, më 31 gusht.
“Regjistrimin e diasporës e kemi shtyrë regjistrimin deri, më 31 gusht për shkak se fillojnë pushimet, sezona, por regjistrimet janë vetëm në mënyrë elektronike. Nëse nuk gaboj është diku rreth 600 mijë numri i të regjistruarve në diasporë që pritet të rritet ende dhe gjatë kësaj periudhe që e vizitojnë vendin e tyre mund të bëjnë pyetje te ASK, i ftoj të gjithë që të shfrytëzojnë këtë mundësi, të regjistrohen. Do të ceken me komuna se kaq i ka kjo komunë banorë rezident dhe kaq banorë i ka jorezident që jetojnë në vende të ndryshme të botës. Pritet që diaspora të ketë rritje në krahasim me vitin 2011 për shkak se ka pasur lëvizje nga Kosova drejt vendeve të tjera. Të dhënat për personat rezident do të publikohen në muajin korrik, ndërsa për ata jorezident në muajin dhjetor, në fund të vitit”, tha ai.
Ndërkaq, para datës 15 korrik të këtij viti pritet të finalizohet numri i saktë i popullsisë, që sipas ASK-së është rreth 1.6 milion.
“Procesi ka përfunduar, duke e parë që është të një proces kompleks, një nga projekte më madhore në vend, është dashur shumë energji dhe punë në këtë drejtim. Procesi ka përfunduar me sukses… sa i përket të dhënave, do të përdoren nga ASK, asnjë e dhënë nuk përdoret në baza individuale, të gjitha janë të grupuara, nuk ka askush qasje në ato të dhëna individuale ndërsa sa i përket rezultateve finale, teknologjia që kemi përdorur në këtë proces na ka mundësuar që të dalim me rezultate preliminare pak më herët, pjesa e parë e muajit korrik, data saktë ende nuk dihet por para datës 15 korrik. Është rreth 1.6 milionë, nuk është numri i saktë për shkak se tash e kemi filluar grumbullimin e të gjitha pajisjeve nga terreni… para datës 15 korrik do ta finalizojmë numrin e saktë të popullsisë. Përpos numrit priten edhe disa indikatorë të tjerë për vendin ndërsa për të dhënat finale kërkohet një kohë pak më e gjatë dhe do të punohet pak më shumë”, u shpreh ai.
Në RTV Dukagjini, Shala ka potencuar se ndonëse ka gjasa që dikush ka mbetur pa u regjistruar, megjithatë ai shton se mbulueshmëria është mbi 95 për qind.
Shala po ashtu tha se për ato familje të cilat kanë refuzuar disa herë për t’u regjistruar do të zbatohen gjobat.
“Ka shumë gjasa që ka mbetur edhe dikush pa u regjistruar, nëse mbulueshmëria është 95 për qind konsiderohet se është në rregull regjistrimi gjë që ne e kemi kaluar 95 për qind, te rastet që nuk janë regjistruar, nëse regjistruesi ka qenë në ekonominë e tyre familjare disa herë dhe kanë refuzuar, ato janë raste të tjera, duhet të fillojmë me gjobat q ëi kemi planifikuar ndërsa në rastet që ekonomia familjare ka qenë jashtë vendit, ato janë raste të veçanta që nuk janë përfshirë në regjistrim. E pamë të arsyeshme që edhe kjo java që u shty për regjistrim, deri më 24 maj, kemi marrë disa telefonata që nuk janë të shumta dhe ekipet tona kanë shkuar dhe i kanë regjistruar, kanë qenë rreth 600 persona që kanë thirrë në telefon. Numri ka qenë shumë i vogël i qytetarëve që nuk janë regjistruar”, shtoi më tej Shala.
Ai u shpreh se nuk ka numër të madh të familjeve që kanë bërë refuzimin e regjistrimit.