Çmimet e naftës dhe arit janë rritur menjëherë pas sulmit izraelit drejt Iranit.
Investitorët kanë ndjekur nga afër reagimin e Izraelit ndaj sulmit të drejtpërdrejt me dron dhe raketa të Iranit javën e kaluar.
Që atëherë ka pasur shqetësime se një përkeqësim i konfliktit në Lindjen e Mesme mund të reduktojë furnizimet me naftë.
Bëhet e ditur se çmimet e naftës fillimisht u rritën për 3.5 për qind. Megjithatë, ato u ulën përsëri kur mediat iraniane raportuan se nuk ka dëme në qytetin Isfahan ku edhe raportohej për shpërthime nga hakmarrja izraelite në orët e mëngjesit të së premtes.
Ndryshe, rritjet e çmimeve të naftës rrezikojnë të nxisin edhe inflacionin, shkruan BBC.
Përveç naftës, edhe çmimi i arit rritet në momente pasigurie si ky, pasi konsiderohet si investim i sigurt.
E tensionet e rritura në Lindjen e Mesme kanë rritur shqetësimet edhe për bllokimin e mundshëm të rrugës detare në ngushticën e Hormuzit midis Omanit dhe Iranit, rrugë kjo nga e cila kalon 20 për qind e furnizimit të përgjithshëm të botës me naftë.
Sipas Administratës së Informacionit të Energjisë së SHBA-së, Irani është prodhuesi i shtatë më i madh i naftës në botë.
Me sa duket, rritja e menjëhershme e çmimeve të naftës është reagim ndaj frikës së një përshkallëzimi të ri të luftës midis Izraelit dhe Iranit. /Telegrafi