15/06/2024

Sanksionet amerikane ndaj Qeverisë, Murati thotë se nuk është në dijeni

të fundit...

- Advertisement -spot_img

Ministri i Financave, Hekuran Murati tha se se nuk është në dijeni për ndonjë listë të sanksioneve nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian.

Këto komente ai i bëri pas mbledhjes së Qeverisë, kur u pyet për raportimet se ShBA dhe BE janë duke konsideruar dy faza me masa ndaj Kosovës nëse nuk u bindet kërkesave të tyre për shtensionim të situatës në veri, përfshirë sanksione ndaj kryeministrit Albin Kurti dhe ministrit të Brendshëm, Xhelal Sveçla.

Tutje, ai ka shtuar se ligjshmëria duhet të mbizotëroj në gjithë vendin.

“Nuk jam në dijeni për ndonjë listë të tillë dhe nuk mund të përgjigjem për këtë çështje, pikat që duhet të pajtohemi të gjithë është që ligjshmëria të mbizotëroj në të gjithë vendin”, tha Murati.

Faza e parë e sanksioneve do të parashihte ngrirje të fondeve të BE-së, procesin e liberalizimit të vizave, procesin e pranimit në Këshill të Evropës, fondet e SHBA-së dhe projekte të tjera të perëndimorëve.

Faza e dytë do të parashihte që aleatët e Kosovës të ndërmarrin qasje pasive ndaj fushatës së Serbisë për çnjohje, si dhe riorganizim të pranisë ushtarake ndërkombëtare e reduktim serioz të kontingjentit amerikan dhe përjashtim të Kosovës nga organizata të caktuara ndërkombëtare.

Po ashtu është paralajmëruar se mund të ketë sanksione ndaj Kurtit e Sveçlës. Të dy mund të shpallen “non-grata me arsyetimin se janë kërcënim për sigurinë dhe paqen”.

Në dokument thuhet se “komuniteti transatlantik ka një nevojë jetike për të mos lejuar një qendër krize prapa linjave të kontaktit me Rusinë… Me nisjen e planit franko-gjerman, ekzistonte bindja se do të lindnin probleme me palën serbe, si një anë kokëfortë dhe jokonstruktive.”

Aty thuhet po ashtu se “askush nuk priste që Qeveria e Kosovës do të ishte ajo, që me veprimet e veta, do të promovonte pasiguri e do të nxiste krizë dhe konflikte”.

Sipas tekstit, komuniteti perëndimor ka humbur durimin dhe kërkon “përgjigje të qartë nga Qeveria e Kosovës, nëse është apo jo partnere e bashkësisë transatlantike”.

Aty thuhet se të qenit partner nënkupton përmbushje e pakusht e të gjitha obligimeve dhe “dështimi për ta bërë këtë, nënkupton pasoja”.

Dokumenti ka kritikuar Qeverinë dhe opozitën. “Kanë dështuar të kuptojnë thellësisht seriozitetin e situatës dhe rrezikun real për Kosovën”, thuhet në të, sipas “Euronews Albania”. Për opozitën është kërkuar qëndrim i qartë dhe deklarativ nëse është apo jo për përmbushjen e obligimeve të Kosovës në dialog. “Fakti që opozita nuk e bën këtë nxit mosbesim dhe oportunizëm”, thuhet në dokument.

Në fund të tekstit thuhet se “nëse Kosova dështon t’i përmbushë obligimet, e rrezikon të ardhmen e vet”.

Një zëdhënës i Komisionit Evropian ka thënë se “nuk komentojnë rrjedhjet e tilla e në veçanti ato që thuhet se janë dokumente të supozuara të një vendi të tretë në lidhje me veprimet e supozuara të BE-së”.

- Advertisement -spot_img

Me te lexuarat...

- Advertisement -spot_img

Lajmet tjera...