Konsumimi i frutave arrore për një periudhë të gjatë kohore lidhet drejtpërdrejt me përmirësimin e funksioneve njohëse te njerëzit e moshuar, si dhe me uljen e rrezikut për zhvillimin e demencës
Sipas një studimi të realizuar në Australi, në të cilin morën pjesë 4.822 meshkuj dhe femra mbi moshën 55-vjeçare, u zbulua se individët që konsumonin më shumë se 10 gramë fruta arrore në ditë (rreth një lugë gjelle) kishin kujtesë dhe aftësi mendore dukshëm më të mira sesa ata që nuk konsumonin fare.
Hulumtimi, i udhëhequr nga Dr. Ming Li në University of South Australia, tregoi se funksionet kognitive te pjesëmarrësit u përmirësuan deri në 60%, kur ata përfshinin fruta arrore në mënyrë të rregullt në dietën e tyre. Pjesa më e madhe e tyre konsumonin kikirikë, një nga frutat arrore më të përhapura dhe të lira në treg.
Sipas studiuesve, kikirikët dhe frutat e tjera arrore përmbajnë antioksidantë, komponime kundërinflamatore, si dhe yndyra të shëndetshme, proteina dhe fibra që luajnë rol në ruajtjen e strukturës dhe funksionit të trurit, transmeton Telegrafi.
“Edhe pse nuk mund të rikthejmë funksionet e humbura kognitive, mund të ngadalësojmë procesin e rënies me zgjedhje të shëndetshme të jetesës, dhe frutat arrore janë një nga to,” ka theksuar Dr. Li.
Duke marrë parasysh plakjen e popullsisë në mbarë botën, parandalimi i çrregullimeve neurodegjenerative përmes ushqimit të shëndetshëm po bëhet gjithnjë e më i rëndësishëm.
Sa është sasia ideale?
▪ Sipas studimit: 10-15 gramë në ditë (rreth një grusht i vogël).
▪ Frutat më të rekomanduara: kikirikë, bajame, arra, lajthi.
▪ Rekomandohet të konsumohen pa kripë dhe pa përpunim industrial. /Telegrafi/