14/04/2024

Serbët dorëzojnë kërkesë për peticion për shkarkim të kryetarëve në katër komunat në veri

të fundit...

- Advertisement -spot_img

Serbët në katër komunat në veri të Kosovës kanë formuar grupet nismëtare, të cilat të martën kanë paraqitur kërkesa te kryesuesit e kuvendeve komunale në Mitrovicë të Veriut, Zubin-Potokut, Zveçanit dhe Leposaviqit.

Kryesuesi i Kuvendit të Komunës së Mitrovicës së Veriut, Nexhat Uglanjin, ia ka konfirmuar KOHËS se ka pranuar një kërkesë të tillë dhe se ajo bazohet në pretendimet e tyre për “mospunën e kryetarëve dhe vendimeve të njëanshme të tyre”.

Ai ka vlerësuar se veprimet e këtij grupi, kanë për qëllim, siç ka thënë ai, nxitjen e tensioneve të reja.

Sipas Udhëzimit administrativ për iniciativën e qytetarëve për largimin e kryetarit të komunës nga funksioni, këto grupe përveç kryesuesve të kuvendeve komunale, duhet të njoftojnë edhe Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, i cili ende nuk ia ka konfirmuar KOHËS nëse e ka pranuar një kërkesë të tillë.

Sipas Udhëzimit pas pranimit të kërkesës, jo më vonë se pesë ditë, kryesuesi i kuvendit komunal e shqyrton atë dhe e regjistron grupin nismëtar si palë të autorizuar. Nëse kjo nuk bëhet brenda afatit, atëherë grupi nismëtar mund të kërkojë nga KQZ-ja të shqyrtojë kërkesën dhe ta regjistrojë si palë të autorizuar.

Jo më vonë se pesë ditë nga regjistrimi, grupi nismëtar duhet të paraqesë te kryesuesi i kuvendit komunal dokumentacionin e nevojshëm ku përfshihen lista e nënshkrimeve dhe autorizimi nga kuvendi komunal për shfrytëzimin e hapësirës publike për mbledhjen e nënshkrimeve.

Më pas KQZ-ja, jo më vonë se pesë ditë nga pranimi i kërkesës, njofton kryesuesin e kuvendit komunal, grupin nismëtar për numrin e tërësishëm të votuesve në komunën përkatëse dhe për numrin e nënshkrimeve që kërkohen.

Grupi nismëtar ka afat prej 30 ditësh që të mbledhë nënshkrimet fizikisht. Afati mund të shtyhet vetëm një herë për 15 ditë.

Më pas nënshkrimet dorëzohen te kryesuesi i kuvendit komunal dhe KQZ-ja. Pas kësaj, institucioni i zgjedhjeve verifikon nënshkrimet dhe nëse nuk janë aq sa kërkohen – 20 për qind e votuesve – nismëtarët e kërkesës kanë afat prej 10 ditësh për të përmbushur këtë kuotë.

Nëse KQZ-ja më pas konfirmon se janë mbledhur nënshkrimet e duhura, atëherë organizohet votimi për largimin e kryetarit të komunës nga funksioni. Votimi organizohet nga KQZ-ja.

- Advertisement -spot_img

Me te lexuarat...

- Advertisement -spot_img

Lajmet tjera...