Viti 2022 nuk ka shënuar kthesën për të mirë në realizimin e investimeve kapitale në Maqedoni. Edhe në prag të ndërrimit të mot moteve, sërish po përsëritet praktika e vjetër e realizimit më të vogël të investimeve kapitale në raport me mjetet që janë planifikuar. Të dhënat e Ministrisë së Financave, tregojnë se deri në fund të muajit nëntor janë realizuar 59.24 për qind e investimeve kapitale, apo janë realizuar 317 milion euro nga 536 milion euro që janë planifikuar për vitin 2022.
Përkundër paralajmërimeve ambicioze për investime të mëdha kapitale për të nxitur ekonominë, të dhënat e Ministrisë së Financave tregojnë se shpenzimet kapitale asnjëherë nuk i kanë kaluar 300-320 milionë euro në 13-14 vitet e fundit, apo nga vitin 2008,me përjashtim të vitit 2021. Në këtë periudhë , investimet kapitale variojnë nga 200 deri në 300 milionë euro çdo vit, edhe pse gjithmonë parashikohen shumë më tepër gjatë planifikimit buxhetor. Për shembull, në vitin 2020 ishin planifikuar 386 milionë euro për investime kapitale, por me rishikim ato ishin ulur në 319 milionë euro dhe në fund të vitit janë realizuar 262 milionë euro. Në vitin 2019 fillimisht ishin planifikuar 422 milionë euro dhe në fund u realizuan 290 milionë euro. Në vitin 2018 ishin planifikuar 391 milionë euro dhe në fund u realizuan gjysma e tyre.