27/07/2024

SHBA kërkon lirim pa kushte të zyrtarëve policorë të Kosovës

të fundit...

- Advertisement -spot_img

Departamenti Amerikan i Shtetit(DASh) të enjten ka kërkuar lirimin pakusht të tre policëve që janë rrëmbyer nga policia serbe në territorin e Kosovës.

Zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, Matthew Miller, ka thënë se Serbia duhet t’i lirojë pa kushte tre pjesëtarët e Policisë së Kosovës, që janë ndaluar nga forcat serbe, më 14 qershor.

“Ne besojmë se Kosova dhe Serbia duhet të marrin hapa të menjëhershëm për të shtensionuar situatën”, u ka thënë Miller gazetarëve.

Kosova e konsideron arrestimin e tre zyrtarëve policorë si rrëmbim nga autoritetet e Serbisë në territorin e Kosovës.

Sipas Policisë së Kosovës, zyrtarët policorë janë arrestuar në fshatin Bare që gjendet në komunën e Leposaviqit, brenda territorit të Kosovës.

Beogradi, në anën tjetër, deklaron se nuk bëhet fjalë për rrëmbim, por për arrestim të policëve në territorin serb.

Autoritetet e Serbisë nuk kanë ofruar të enjten asnjë informacion lidhur me të arrestuarit.

Miller ka thënë se SHBA-ja pret që palët të ndjekin planin trepikësh që e ka prezantuar Bashkimi Evropian, pa vonesa.

“Në kuadër të kësaj, kryeministri Kurti duhet të garantojë që kryetarët e zgjedhur t’i kryejnë detyrat e tyre nga lokacionet alternative dhe që të tërheqë njësitet policore nga zonat përreth”.

Komuniteti ndërkombëtar i ka tri kërkesa për kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, lidhur me situatën në veri:

  • Shtensionimin e situatës atje
  • Mbajtjen e zgjedhjeve të reja
  • Kthimin në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

Kurti, në anën tjetër, e ka prezantuar ditë më parë një plan pesëpikësh për ulje të tensioneve.

Më herët gjatë së enjtes, kryediplomati evropian, Josep Borrell, ka thënë se do t’i ftojë përfaqësuesit e Kosovës dhe Serbisë javën e ardhshme në Bruksel, një takim urgjent për menaxhim të krizave.

Duke folur për situatën aktuale në Kosovë, Borrell ka thënë se, aktualisht gjithçka është kthyer në fazën e menaxhimit të krizave dhe do t’i ftojë palët në një takim urgjent.

“Duhet të bëjmë thirrje për qetësi në terren. Duke parë situatën, duke u përkeqësuar, jemi kthyer në fazën e menaxhimit të krizave. Unë do t’i ftoj dy palët, Kosovën dhe Serbinë, për një takim për menaxhimin e krizave, javën që vjen, në Bruksel”, ka deklaruar Borrell.

- Advertisement -spot_img

Me te lexuarat...

- Advertisement -spot_img

Lajmet tjera...