Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka filluar procesin e verifikimit të nënshkrimeve të mbledhura në peticionin e organizuar në komunat: Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi tha për Telegrafin se lista me nënshkrimet e mbledhura në këto katër komuna do të verifikohen.
“KQZ, në përputhje me legjislacionin në fuqi, do të verifikojë këto lista me nënshkrime, pra nëse personat që kanë nënshkruar janë qytetarë me të drejtë vote në komunën përkatëse”, deklaroi ai.
Tutje, Elezi bëri të ditur se ky proces do të zgjasë dhe se nuk mund të japin ndonjë datë se kur do të përfundojë.
“Sigurisht se ky proces do të na marrë kohë pasi të dhënat që i kemi pranuar janë të mbledhura në format fizik, andaj nuk mund të jap ndonjë datë të saktë, por pas përfundimit të tij, do të njoftojmë Ministrinë, Kryesuesit e Kuvendeve Komunale, Kryetarët e Komunave dhe Grupet Nismëtare. Natyrisht se përgjigja e KQZ-së do të bëhet edhe publike”, theksoi ai.
Kryetarët shqiptarë u zgjodhën në prill të vitit 2023, në zgjedhjet që u bojkotuan nga serbët.
Bashkësia ndërkombëtare ka kërkuar uljen e tensioneve dhe shpalljen e zgjedhjeve të reja në katër komunat në veri të Kosovës.
Peticionet për largimin e katër kryetarëve janë nënshkruar edhe nga përfaqësuesit e Listës Serbe, parti që bojkotoi zgjedhjet dhe largoi përfaqësuesit e saj nga institucionet e Kosovës, duke nxitur edhe largimin e serbëve të tjerë.
Por, në mesin e tetorit të vitit 2023, kjo parti deklaroi se ishte e gatshme të merrte pjesë në zgjedhjet në komunat në veri, pa vendosur asnjë kusht për pjesëmarrje në zgjedhje, siç kishte bërë më herët.
Ky qëndrim i kësaj partie u mor pasi presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, u bëri thirrje përfaqësuesve serbë në veri të Kosovës që të inicionin mbajtjen e zgjedhjeve të reja. /Telegrafi/