Shqipëria do të mirëpresë të hënën, më 16 qershor, Ministerialin e Procesit të Bashkëpunimit në Evropën Juglindore (SEECP), një ngjarje e rëndësishme diplomatike që pritet të zhvillohet në Tiranë.
Kryeministri Edi Rama e ka njoftuar këtë përmes një postimi në rrjetet sociale, duke theksuar se Shqipëria është “sërish në qendër të diplomacisë ndërkombëtare” dhe se është e angazhuar për të nxitur përparimin e vendeve të rajonit drejt integrimit në Bashkimin Evropian.
“Vendi ynë është i angazhuar plotësisht për të nxitur përparimin e vendeve të rajonit drejt integrimit në BE”, ka shkruar Rama në Facebook.
Tirana mban kryesimin e SEECP-së për periudhën korrik 2024 – qershor 2025, pas Shkupit, ndërsa kryesuesi i radhës do të jetë Sofja. Procesi i Bashkëpunimit të Evropës Juglindore u iniciua në vitin 1996 në Sofje, ndërsa samiti i parë u mbajt në Kretë në vitin 1997.