Një incident ndodhi të martën gjatë protestës së opozitës në Tiranë, në kohën kur po mbahet edhe Samiti i Bashkimit Evropian me vendet e Ballkanit Perëndimor.
Teksa po marshonte me protestuesit dhe po i printe turmës drejt bulevardit kryesor, kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha është sulmuar nga një person, i cili më pas është neutralizuar nga sigurimi i Berishës.
Momenti i sulmit ka krijuar panik midis qytetarëve pjesëmarrës në protestë, ndërsa nga pamjet shihet se kryetari i PD-së, Berisha ka marrë një goditje në fytyrë që i ka shkaktuar gjakderdhje, shkruan Telegrafi.
Pas një mjekimi të shpejtë, Berisha ka vazhduar marshimin dhe ka dal përpara protestuesve në podiumin e ngritur për këtë rast.
E pak minuta pas sulmit është arrestuar nga policia edhe autori i ngjarjes.
Policia e shtetit theksoi se rasti është i paprecedent dhe i dënueshëm.
“Në lidhje me incidentin e ndodhur ndaj deputetit Sali Berisha, sigurisht incident i paprecedent dhe plotësisht i dënueshëm, Policia e Shtetit sapo u njoh me ngjarjen e shëmtuar, reagoi menjëherë duke ndaluar agresorin.
Edhe aktualisht po vazhdojnë hetimet, nën drejtimin e Prokurorisë së Tiranës, për të përcaktuar dinamikën e zhvillimit të kësaj ngjarjeje dhe motivet e saj”, thuhet në reagim.
Në lidhje me deklaratat e deputetit Berisha në konferencën për shtyp, gjatë së cilës pohoi se 31-vjeçari, Gert Shehu është agjent i Policisë Kriminale, dhe se është përdorur për të kryer akt dhune ndaj tij, ka reaguar Policia e shtetit.
“Shtetasi Gert Shkëlqim Shehu, i vitlindjes 1991, nuk ka qenë ndonjëherë dhe nuk është agjent i Policisë Kriminale nga asnjë strukture e Policisë së Shtetit.