Shoqata Sindikale e Anëtarëve të Shërbimit të Jashtëm (SHSASHJ), ka mbajtur sot protestë para objektit të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, lidhur me zhvillimet e fundit në këtë dikaster.
Përfaqësuesi i kësaj shoqate, Albert Prenkaj ka thënë para mediave se kanë dalur që të shprehin pakënaqësinë dhe mospajtimet me zhvillimet e kohëve të fundit në këtë ministri.
Prenkaj i cili në ta kaluarën ka qenë drejtor i përgjithshëm në MPJD, ka thënë se në këtë ministri është instaluar frika, shantazhi e kërcënimi..
“Protesta e sotme është akt publik dhe duhet të jetë proces i vazhdueshëm i shprehjes tonë të pakënaqësive të veprimeve të jashtëligjshme dhe arbitrare të kësaj ministrie. Ajo që po ndodh sot është e paprecedentë që asnjëherë në të kaluarën nuk ka ndodhur”, ka thënë Prenkaj.
Ai ka shtuar se kolegët e tyre janë të frikësuar shkaku i presionit që po ushtrohet ndaj secilit prej tyre.
“Jemi dëshmitar të një presioni ndaj secilit prej nesh dhe ne i pam kolegët tonë duke u larguar sepse janë të frikësuar. Në MPJD është instaluar sistemi i frikësimit, shtantazhimit dhe kërcënimit në mënyra nga më të ndryshme ndaj zyrtarëve tanë Kjo është në kundërshtim me Kushtetutën, janë prekur fundamentet e Kushtetutës. Në këtë institucion nuk ekziston ambient i sigurt i përshtatshëm për punë”, ka thënë Prenkaj.