23/12/2024

Sindikata VS Qeveria

- Advertisement -spot_imgspot_imgspot_imgspot_img

të fundit...

- Advertisement -spot_img

Shkruan: Ali Dula

Pas ndryshimeve politike në shoqërinë tonë, konflikti sindikatat-qeveri nuk u shpreh qartë. Në fazën e parë të këtij pushteti, interesat e sindikatave ishin më pak të pranishme në politikë. Pas disa kohësh ata u kthyen në skenë. As interesat e punëtorëve nuk përfaqësoheshin saktësisht dhe qartë. Një pjesë e arsyes mbeti në rrënojat e qeverive të mëparshme të cilët nuk krijuan asnjë formë e dialogut të përhershëm social, por ato u zëvendësuan nga klientelizmi dhe patronazhi politik. Ndaj sindikatat sikur përfaqësonin shtyllën kurrizore të mbështetjes për pushtetet e kaluara.

Si një aktor i shoqërisë civile, sindikatat artikulojnë dhe përfaqësojnë interesat e punonjësve në sferën autonome përballë shtetit. Si të tillë, për sindikata është e rëndësishme mënyra se si manifestohet dimensioni i tyre civilo-social. Në këtë aspekt, ata janë potencialë “amortizues socialë” në lidhje me protestat, rezistencën apo grevat e mundshme. Në rastin tonë konkret, në gjithë këtë bllokadë në procesin e nisjes së mësimit shkollor, çështja tani ka kaluar në sindikata si akterë politikë e që mëton të jetë më komplekse. Kërkesat e SBASHK-ut si dhe mënyra e të vepruarit janë të mbushura me dimensione politike. Sindikatat mund të marrin pjesë në krijimin e politikave publike dhe në përgatitjen e propozimeve legjislative, por jo të akuzojnë e kualifikojnë qeveritë me etiketime dhe kushtrrim për rrëzim të tyre. Në kompleksitetin e këtij shpjegimi, SBASHK-u mbështetet në arsye objektive dhe subjektive. Arsyeja objektive shpërfaq karakterin në dukje egalitar, që nënkupton një burim barazie e sigurie për anëtarët e saj. Arsyeja subjektive është vetëdija e tyre e përhapur autoritare që karakterizon kulturën politike të Kosovës, dhe veçoritë e së cilës janë pranimi dhe festimi i pakushtëzuar dhe pa kritikë i 100 euroshit. Natyrisht se si askush tjetër mësimdhënësit e meritojnë edhe shumën më të madhe se të 100 euroshit. Por përderisa trumbetohet për kërkësen e dialogimit me qeverinë, dialogu në fakt duhet të ketë në qendër një marreveshje serioze Ligjin e Pagave, i cili do ta stabilizonte mirëqenien dhe pagën e punëtorit për vite me radhë dhe jo asistenca transitore. Kështu do të dukej kërkesa serioze e SBASHK-ut për dialog me qeverinë.
Sindikatat ndërmjetësojnë mes shtetit dhe punëtorëve. Thirrja e një lideri sindikate për të ndërruar një “qeveri diktatoriale”për sindikatat mbart elemente politike dhe pasigurie se ngërçi mund të vazhdojë. Në këtë mënyrë mund të humbet identiteti sindikal, me rrezikun se mund të konstatohet identifikimi politik i tyre. Duke hyrë përfundimisht në arenën politike ato do të humbnin edhe këtë pak kredibilitet shoqëror e social. Në periudhën e mëparshme, sindikatat shpesh ranë në grackën e dhënies së mbështetjes gjatë fushatave elektorale, edhe për partitë kundërshtare, por favoret nuk iu kthyen. Sindikatat janë zhgënjyer, punëtorët edhe më shumë. Premtimet nga partitë opozitare se mund të përmbushin kërkesat e krahut të majtë janë puro politike. E nëse munden, atëherë ato parti nuk janë të djathta por të majta. Shto këtu faktin që nëpër komunat e Kosovës, drejtoritë komunale si asnjëherë më parë në heshtje e miratojnë grevën, e kundërta e qëndrimeve të tyre kur qeveritë udhëhiqeshin nga liderë të tjerë.

Një nga analogjitë e mburrje rrahagjokse të sindikatave, që nuk ka bazë as në teori dhe as në praktikë, është lidhja e numrit të anëtarëve të sindikatave me numrin e njëjtë të mbështetjes nga këto sindikata. Nëse një sindikatë pretendon se ka p.sh. 100 mijë anëtarë, kjo nuk do të thotë aspak se mund të sjellë as gjysmën e atij numri mbështetës. Në kohën e identiteteve të shumëfishta, anëtarësimi në sindikata është vetëm një nga një sërë çështjesh identiteti dhe statusi për qytetarët.

Megjithatë, në dialogje të sinqerta kur një palë ka treguar sens reflektimi, pala tjetër duhet të tërheqë kushtet të stilit “ take it or leave it”. Dhe nuk kanë pse të pësojnë në këtë betejë, ata që fare nuk e mbartin fajin e situatave të këtilla, fëmijët. Por para dialogut dypalësh nevojitet një dialog sindikata-sindikatë. Sepse si duket sindikatat ende nuk e kanë gjetur dhe formësuar konceptin dhe strategjinë e tyre të veprimit në rrethanat e reja. Disa praktika të mbetura janë të kohës së shtetit partiak, dhe kanë problem të të kuptuarit e politikës shtetërore dhe qeverisjes si kryerje e përgjegjshme e punëve publike. Dialogu social duhet të prodhojë rezultatet e pritura, andaj grevat nuk janë gjithmonë efektive. Nuk është dora e padukshme e tregut, por dora e dukshme e shtetit që e mbush portofolin në xhep të punëtorit. Në kushte krize e inflacioni global shteti ndërton strategji të shpëtimit ekonomike e financiar, mirëqenies sociale, dhe në këtë rrugë duhet të participojnë edhe sindikata në formën e tyre. Ato duhet të punojnë për të forcuar partneritetin dhe bashkëpunimin me qeveritë mbi parimet e solidaritetit, të ndërtojnë dhe zhvillojnë transparencë dhe hapje, si brenda organizatës, ashtu edhe në marrëdhëniet e tyre me partnerët, të përpiqen për shkallën maksimale të koherencës së veprimeve të tyre, duke përdorur burimet e tyre në mënyrë optimale… Nga gjithë kjo zallahi rivalitetesh, pozicionesh e qëndrimesh, është kohë e fundit për të gjetur një masë të mjaftueshme të besimit për marrëdhëniet midis dy akterëve shoqërorë dhe politikë, që procesi i vitit të ri të mësimit të fillojë sa më parë dhe kështu të evitohet situata e rënduar që akoma duket në horizont.

- Advertisement -spot_img

Me te lexuarat...

- Advertisement -spot_img

Lajmet tjera...