22/11/2024

Situata në veri – emisarët Escobar e Lajçak i shkojnë sërish në zyrë Kurtit

të fundit...

- Advertisement -spot_img

Në kohën kur situata në veri të Kosovës vazhdon të jetë e tensionuar dhe e brishtë, në Prishtinë që nga e hëna po qëndron i dërguari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.

Për të dytën herë, këtë të martë ai do të shkojë në Qeveri për t’u takuar me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti. E bashkë me të do të jetë edhe përfaqësuesi special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.

Takimi do të fillojë në orën 17:00, ka bërë të ditur Zyra e Kryeministrit përmes një komunikate për media.

“Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, pret në takim Përfaqësuesin e Posaçëm të Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak dhe Zëvendës Ndihmës Sekretarin e Shteteve të Bashkuara për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike dhe njëherësh të dërguarin e posaçëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar”, thuhet në njoftim.

Emisari Escobar ishte në zyrën e kryeministrit Kurti edhe të hënën. Paraprakisht ai ishte edhe në Presidencë, ku u takua me presidenten Vjosa Osmani.
Në këto takime ai ishte i shoqëruar nga ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeff Hovenier.

Pas daljes nga takimet, Escobar në një deklaratë të shkurtër për media, ka thënë se ishte vizitë rutinë në Kosovë.

“Nuk kam ndonjë koment. Jam pjesë e një angazhimi rutinor tashmë këtu. Jemi partnerë të mirë dhe është bukur që të qëndrojmë në komunikim të vazhdueshëm. Do të kem më shumë të them pak më vonë pasi do të kemi edhe disa takime, pastaj do të diskutojmë”.

I pyetur për situatën në veri të Kosovës, Escobar ka thënë së për këtë nuk mund të komentojë.

Ndërsa, Zyra e Kryeministrit pas takimit ka njoftuar se është diskutuar për situatën aktuale dhe zhvillimet e fundit, veçanërisht në pjesën veriore të Republikë së Kosovës.

“U diskutua për situatën aktuale dhe zhvillimet e fundit, veçanërisht në pjesën veriore të Republikë së Kosovës. U theksua se barrikadat në rrugë duhet të largohen menjëherë”, thuhet në komunikatën për media të Qeverisë.

Emisari Escobar e ambasadori Hovenier u takuan më pas edhe me përfaqësues të Listës Serbe.

- Advertisement -spot_img

Me te lexuarat...

- Advertisement -spot_img

Lajmet tjera...