Çdo deklaratë publike që fyen ose provokon palën tjetër është absolutisht e papranueshme, thuhet në komunikatën e ministrisë së Punëve të Jashtme të Bullgarisë, lidhur me një deklaratë të eurodeputetit bullgar, Angel Xhambaski, që në Shkup është vlerësuar si “provokim” dhe “fyerje e rëndë”.
Xhambaski, më 18 tetor, përmes një video incizimi duke reaguar ndaj vendimit të autoriteteve maqedonase për miratimin e një ligji që ndalon regjistrimin e shoqatave kulturore që mbajnë emrat e personaliteteve të kontestueshme bullgare nga Lufta e Parë dhe e Dytë Botërore, tha se “bullgarët do të vendosin se kush jeni ju [maqedonasit]”, dhe se vendimi për ndalimin e shoqatave bullgare, sipas tij, synon mohimin e pakicës bullgare në Maqedoninë e Veriut.
Eurodeputeti bullgar gjithashtu kishte kritikuar kryeministrin maqedonas, Dimitar Kovaçevski, lidhur me gjuhën maqedonase.
“Kovaçevski pohon se gjuha maqedonase është origjinale, por maqedonizmi është një ideologji anti-bullgare, naziste, fashiste dhe bolshevike që ka për detyrë të zhdukë traditën, kulturën dhe historinë bullgare në Maqedoni. Është një identitet i rremë që është anti-bullgar. Ne bullgarët vendosim kush jeni, jo ti Dimitari, as Beogradi apo Kremlini. Maqedonia është bullgare dhe do të jetë e tillë”, kishte deklaruar Xhambaski.
“Bullgaria gjithmonë ka kërkuar të forcojë dhe thellojë miqësinë dhe marrëdhëniet e mira fqinjësore me Maqedoninë e Veriut. Bullgaria ka bërë shumë përpjekje për realizimin e këtij qëllimi gjatë viteve të fundit”, thuhet në deklaratën e MPJ-së bullgare.
“Janë absolutisht të papranueshme deklaratat publike që fyejnë apo provokojnë palën tjetër dhe nuk përfaqësojnë qëndrimin zyrtar të shtetit bullgar”, vazhdon deklarata.