19/04/2024

Specialja ua vazhdon edhe për dy muaj paraburgimin Thaçit dhe Veselit

të fundit...

- Advertisement -spot_img

Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK), në Hagë ua kanë vazhduar masën e paraburgimit Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit edhe për dy muaj të tjerë.

Si rrjedhojë e kësaj, me anë të vendimit të datës 15 dhjetor 2023, kryetari i trupit gjykues, Charles Smith III udhëzoi ZPS-në që të paraqesë parashtresa për shqyrtimin e radhës të paraburgimit për Thaçin dhe Veselin, jo më larg se 29 janari 2024, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Për arsyet e lartpërmendura, Paneli përmes kësaj:

(a) URDHËRON vazhdimin e paraburgimit të z. Thaçi; dhe

(b) UDHËZON ZPS-në që të paraqesë parashtresa për shqyrtimin e radhës të paraburgimit të z. Thaçi, jo më vonë se e hëna, 29 janar 2024 në ora 16:00, me përgjigjen dhe përgjigjen pas afatit kohor të përcaktuar në rregullën 76.

Për arsyet e lartpërmendura, Paneli:

a) URDHËRON vazhdimin e paraburgimit të z. Veseli;

b) UDHËZON PSP-në që të paraqesë parashtresa për shqyrtimin e radhës të paraburgimit të z. Veseli jo më vonë se të hënën, 29 janar 2024 në ora 16:00, me përgjigjen dhe përgjigjen pas afatit kohor të përcaktuar në Rregullën 76”, thuhet në vendimet e trupit gjykues, shkruan “Betimi për Drejtësi”.

Në arsyeshmërinë e këtyre vendimeve thuhet se paneli është i bindur që ekziston rreziku i mjaftueshëm që Thaçi dhe Veseli të pengojnë mbarëvajtjen e procedurave gjyqësore. Po ashtu thuhet se ka rrezik që të akuzuarit të ndikojë tek dëshmitarët si dhe të arratisen.

Duke iu referuar këtyre bazave, ZPS-ja ka parashtruar se rreziqet përkatëse mund të menaxhohen në mënyrë efektive vetëm në objektin e paraburgimit. Po ashtu ata kanë parashtruar se sjellja e Thaçit dhe e Veselit paraqet rrezik jashtëzakonisht të rritur saqë edhe kufizimet standarde të komunikimit dhe monitorimit të Qendrës së Paraburgimit janë të pamjaftueshme.

“Sjellja e z. Thaçi tani paraqet një rrezik kaq jashtëzakonisht të rritur saqë edhe kufizimet standarde të komunikimit dhe monitorimi i Qendrës së Paraburgimit janë të pamjaftueshme, prandaj, në dritën e zbulimit të vazhdueshëm të informacioneve të ndjeshme të dëshmitarëve që lidhen me procedurat aktuale të gjykimit, rreziqet themelore janë më të larta se kurrë”, thuhet në vendim e po ashtu një gjë e tillë theksohet edhe në vendimin për Kadri Veselin.

Paneli ka konstatuar se masat e vendosura në objektin e paraburgimit ofrojnë garanci të fortë me qëllim të minimizimit të rreziqeve të pengimit dhe kryerjes së krimeve të mëtejshme nga ana e të akuzuarve.

Tutje, në vendimet për vazhdimin e paraburgimit për Thaçin dhe Veselin thuhet se Paneli ka konstatuar se rreziqet e pengimit të procedurës dhe kryerjes së veprave të mëtejshme mund të menaxhohen në mënyrë efektive vetëm në objektin e paraburgimit. Kështu, paneli ka cilësuar se vazhdimi i paraburgimit për dy të akuzuarit është i nevojshëm për të shmangur rreziqet.

“Paneli rikujton se arsyeshmëria e vazhdimit të paraburgimit të të akuzuarit duhet të vlerësohet në bazë të fakteve të secilit rast dhe sipas veçorive të tij të veçanta. Veçoritë e veçanta në këtë rast përfshijnë: (i) ndikimin dhe autoritetin e z. Thaçi; (ii) njohuritë e tij për akuzat dhe provat kundër tij, dhe një dënim me burgim të gjatë; (iii) rreziku që z. Thaçi do të pengonte procedurat e KS; (iv) rrezikun e kryerjes, nxitjes ose ndihmës për krime të mëtejshme; (v) faktin që masat kufizuese për çlirimin nuk janë të mjaftueshme për të zbutur rreziqet; (vi) peshën dhe kompleksitetin e akuzave kundër z. Thaçi; dhe (vii) fakti që gjykimi tani është duke u zhvilluar, duke demonstruar përparim të arsyeshëm të procedurës”, thuhet në vendimin për vazhdimin e paraburgimit për Thaçin.

Një gjë e ngjashme potencohet edhe në vendimin për vazhdimin e paraburgimit për Veselin ku thuhet se ai akuzohet për dhjetë akuza për krime të rënda ndërkombëtare në të cilat ai pretendohet se ka pasur një rol të rëndësishëm dhe në rast që shpallet fajtor, mund të përballët me një dënim të gjatë.

“Paneli rikujton se arsyeshmëria e vazhdimit të paraburgimit të të akuzuarit duhet të vlerësohet në bazë të fakteve të secilit rast dhe sipas veçorive të tij të veçanta. Sipas vlerësimit të Panelit, veçoritë e veçanta në këtë rast përfshijnë: (i) z. Veseli akuzohet për dhjetë akuza për krime të rënda ndërkombëtare në të cilat ai pretendohet se ka një rol të rëndësishëm; (ii) nëse shpallet fajtor, z. Veseli mund të përballet me një dënim të gjatë; (iii) rreziqet sipas nenit 46 (b) (ii) dhe (iii) nuk mund të zbuten me asnjë kusht; 60 (iv) çështja kundër z. Veseli është komplekse; 61 dhe (v) fakti që gjykimi është duke u zhvilluar, duke demonstruar ecuri të arsyeshme të procedurës”, thuhet në vendimin për vazhdimin e paraburgimit për Kadri Veselin.

Megjithatë, Paneli ka theksuar se Thaçi dhe Veseli tashmë kanë qenë në paraburgim për një periudhe të konsiderueshme kohore dhe gjykimi në këtë rast ka gjasa të jetë i gjatë. Si rrjedhojë e kësaj, nëpërmjet këtij vendimi u kërkua nga të gjitha palët të jenë veçanërisht të ndërgjegjshëm për nevojën për të siguruar që gjykimi të vazhdojë sa më shpejtë që është e mundur.

Ndryshe, Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.

Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit  të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.

Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.

Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020. /BetimipërDrejtësi.

- Advertisement -spot_img

Me te lexuarat...

- Advertisement -spot_img

Lajmet tjera...