25/02/2024

Stolternberg: NATO-ja, me çdo kusht do ta ruaj rendin, qetësinë dhe paqen në Kosovë

të fundit...

- Advertisement -spot_img

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka shprehur shqetësimin për rritjen e tensioneve në rajonin e Ballkanit Perëndimor, teksa ka premtuar se aleanca veri-atlantike do të bëjë gjithçka në mënyrë që të ruajë stabilitetin në rajon.

“Ajo që shohim atje është se tensionet po rriten. Po shoh rritje të tensioneve dhe retorikë nxitëse në Bosnje e Hercegovinë. Kemi parë incidente të rënda dhune në Kosovë duke përfshirë sulmin ndaj paqeruajtësve të NATO-s. Janë lënduar 93 ushtarë të NATO-s, nga të cilët disa shumë rëndë. Gjithashtu kishim sulmin në Banjskë”, ka deklaruar shefi i aleancës veri-atlantike në prag të takimit të ministrave të Jashtëm të shteteve anëtare.
“NATO do të bëjë atë që është e nevojshme për të mbajtur ose për të siguruar stabilitetin në rajon, sepse kjo është e rëndësishme jo vetëm për Ballkanin Perëndimor, por për të tërë Evropën”, porositi Stoltenberg.

Shefat e diplomacive të 31 shteteve anëtare të NATO-s në takimin që po mbahet në Bruksel më 28 dhe 29 nëntor, do të diskutojnë ndër tjerash edhe lidhur me situatën e sigurisë në rajon.

Më 27 nëntor, Sekretari i Përgjithshëm i aleancës ka paralajmëruar se në takim do diskutohet mundësia e shtimit të përhershëm të numrit të ushtarëve në kuadër të misionit paqeruajtës të aleancës në Kosovë, KFOR.

Sipas agjencisë Associated Press, dhuna mes Kosovës dhe Serbisë ka shpërthyer dy herë në muajt e fundit dhe vendet perëndimore kanë frikë se Rusia mund të përpiqet të nxisë telashe në Ballkan për të larguar vëmendjen nga lufta në Ukrainë.
Pas sulmit në Banjskë që ndodhi më 24 shtator, NATO ka forcuar tashmë praninë e saj ushtarake në Kosovë – e krijuar pas fushatës së bombardimeve kundër Serbisë në vitin 1999 – me rreth 1.000 trupa shtesë dhe armatime më të rënda, duke e çuar trupat e saj në Kosovë në 4.500.

Tani po shqyrtohet mundësia që numri i shtuar i ushtarëve të jetë afatgjatë, si dhe që ushtarët të kenë aftësi të shtuara ushtarake.

Më 24 shtator, Policia e Kosovës u sulmua nga një grup i armatosur i serbëve në fshatin Banjskë të Zveçanit, ku mbeti i vrarë polici Afrim Bunjaku. Gjatë përleshjeve që pasuan u vranë edhe tre sulmues serbë.

Kurse më 29 maj, dhjetëra pjesëtarë të KFOR-it u lënduan pas konfrontimit me protestuesit në Zveçan pasi kryetarët shqiptarë hynë në ndërtesat komunale me ndihmën e policisë.

Debati për rajonin do të mbahet të mërkurën pasdite, ndërsa në takim do të jetë i pranishëm edhe përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian për politikë të jashtme dhe siguri, Josep Borrell./rel

- Advertisement -spot_img

Me te lexuarat...

- Advertisement -spot_img

Lajmet tjera...