Në një ceremoni të mbajtur në Teatrin e Operas dhe Baletit në Tiranë, Ujë Mokne u nderua me çmimin prestigjioz në CCIT AWARDS 2024 për investimet Inovatore në Teknologji në sektorin e ujit në Kosovë. Ky event mblodhi personalitete të njohura nga politika, arti dhe biznesi nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia e Veriut, duke e bërë një ndër ngjarjet më të rëndësishme për komunitetin e biznesit shqipfolës.
Ky vlerësim është një dëshmi e përkushtimit të Ujë Mokne për të përmirësuar menaxhimin e burimeve ujore dhe për të kontribuar në një të ardhme më të qëndrueshme. Përdorimi i teknologjive më të avancuara ka ndihmuar kompaninë të rrisë efikasitetin dhe cilësinë e shërbimeve të saj.
“Ky çmim është një moment krenarie për kompaninë tonë dhe na motivon të vazhdojmë me investime të mëtutjeshme që të shërbejmë konsumatorët,” deklaroi përfaqësuesi i Ujë Mokne gjatë ceremonisë.
Me burimin e tij nga natyra e paprekur e Maleve të Istogut, Ujë Mokne përfaqëson cilësinë dhe pastërtinë. Fabrika moderne e kompanisë, me një sipërfaqe prej mbi 11,000 metra katrorë, garanton efikasitet dhe standarde të larta prodhimi. Produktet e Ujë Mokne gjenden në formate të ndryshme, duke përfshirë shishet plastike prej 0.33L, 0.5L, 1L dhe 1.5L, bidona 5L dhe 10L si dhe shishet e qelqit prej 0.25L, 0.33L, 0.75L dhe 1L.
Lajm i mirë për konsumatorët është se shumë shpejt gama e produkteve të Ujë Mokne do të zgjerohet, duke përfshirë edhe ujin me gaz – një produkt i shumëpritur nga tregu.
CCIT AWARDS, organizuar nga Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Tiranë në bashkëpunim me Ministrinë e Ekonomisë, ka mbi 20 vite që vlerëson liderët dhe kompanitë që japin kontribut në zhvillimin e ekonomisë dhe industrive lokale. Në këtë edicion, Ujë Mokne u dallua për angazhimin e saj të vazhdueshëm në përdorimin e teknologjisë për të ofruar shërbime më të mira dhe më efikase.