Rruga e Veternikut në Prishtinë, gjithherë ka qenë e rrezikshme për këmbësorët. Por, me ndërtimin e qendrës tregtare Albi Mall, rreziku për aksidente me vdekje e me të lënduar është rritur dukshëm.
Kjo po ndodhë për shkak të mungësës së mbikalimeve. Qytetarët detyrohen që të kalojnë dy korsi të rrugës kryesore për të dalë tek pjesa tjetër.
Rasti i fundit ndodhi të premten, ku një këmbësor u godit për vdekje gjatë mesditës, pikërisht në këtë pjesë të rrugës.
Por, përkundër kësaj, qytetarët vazhdojnë ta rrezikojnë jetën e tyre.
Disa video që janë publikuar tek faqja “Vrojtuesit e Lagjes”, shihen sërish këmbësorë teksa duke vrapuar e kalojnë rrugën, madje pengojnë edhe qarkullimin e automjeteve.
Lidhur me këtë, dhjetra qytetarë kanë reaguar në rrjetet sociale. Ata po kërkojnë që të ndërmerren masa për ta rrëgulluar këtë problem.
Një pjesë tjetër e tyre, hedhin kritika edhe ndaj ngasësve të veturave, për të cilët thonë se e tejkalojnë shpejtësinë, duke i thyer rregullat në komunikacion.
Ndryshe, në maj të vitit 2020, ministri i atëhershëm i Infrastrukturës dhe Ambientit, Lumir Abdixhiku, pati nënshkruar marrëveshje mirëkuptimi me kryetarin e atëhershëm të Prishtinës, Shpend Ahmeti.
Objekt i këtij memorandumi ishte realizimi i tri projekteve infrastrukturore, mes tyre edhe ai për ndërtimin e mbikalimit për këmbësorë në lagjen Veternik.






