04/12/2024

Viziton Kosovën zyrtari i lartë i Nato-s

- Advertisement -spot_img

të fundit...

- Advertisement -spot_img

Të enjten për vizitë në Kosovë ishte ndihmës-sekretari i NATO-s për Operacione, Thomas Goffus, ku është takuar me presidenten e shtetit, Vjosa Osmani dhe kryeministrin Albin Kurti.

Temë diskutimi në takimet e Goffus me krerët e shtetit ishte edhe çështja e hapjes së Urës së Ibrit.

Goffus pas vizitës në Prishtinë theksoi se veprimet e pakoordinuara, posaçërisht në veri të Kosovës, mund të rrisin rrezikun e dhunës, e cila cenon sigurinë e të gjithë njerëzve në vend dhe rrezikon trupat e KFOR-it.

Guffus shtoi se kjo e rëndon shqetësimin e NATO-s dhe partnerëve për stabilitetin e rajonit dhe Kosovës dhe sigurinë e trupave të saj. Ai tha se ushtarët e KFOR-it mbesin të përkushtuar në detyrë, posaçërisht në veri të Kosovës, me patrullime të rregullta dhe duke monitoruar për së afërmi situatën në terren.
Ndërkaq, në një njoftim të Presidencës, pas takimit të Osmanit me Ndihmës Sekretarin Goffus bëhet e ditur se presidentja ka deklaruar se Kosova mbetet e përkushtuar për bashkëpunim të vazhdueshëm me NATO-n dhe KFOR-in për adresimin e sfidave në fushën e sigurisë.
Në takim me Ndihmës Sekretarin Goffus, ndër të tjera u diskutua edhe për çështjen e hapjes së urës së Ibrit.

“Presidentja Osmani ka përsëritur qëndrimin për hapjen e urës, porse ka potencuar rëndësinë e mirëmbajtjes së komunikimit, koordinimit dhe thellimit të bashkëpunimit në mes të institucioneve tona dhe partnerëve tanë të sigurisë, veçanërisht me NATO-n, për hartimin e një plani të përbashkët të zbatimit për hapjen e urës”, thuhet në njoftim mes tjerash.

Hapjen e urës, Osmani e ka cilësuar si një veprim në funksion të normalizimit dhe integrimit në interes të të gjithë qytetarëve, pa dallim etnie.

Të enjten në takim zyrtarin e NATO-s e ka pritur edhe kryeministri Albin Kurti. Fillimisht, kryeministri e falënderoi Goffus për kontributin e vazhdueshëm e pozitiv të misionit të KFOR-it dhe NATO-s si dhe angazhimin në ruajtjen e paqes e sigurisë në vend dhe rajon.

Ai theksoi rëndësinë e thellimit të bashkëpunimit mes institucioneve tona të sigurisë e mbrojtjes me KFOR-in e NATO-n dhe koordinimin e vazhdueshëm.

Kryeministri Kurti tha se progresi socio-ekonomik e demokratik i vendit ecën krah për krah me sundimin e rendit dhe ligjit, ndaj të cilave përkushtimi mbetet i palëkundur e në shërbim të të gjithë qytetarëve pa dallim.

- Advertisement -spot_img

Me te lexuarat...

- Advertisement -spot_img

Lajmet tjera...