Presidenti serb Aleksandar Vuçiq ka thënë se Serbia shpalli ditë zie edhe për policin e Kosovës të vrarë nga sulmuesit serbë në Banjskë të Zveçanit.
“Serbia shpalli ditë zie edhe për serbët e vrarë edhe për policin e vrarë. Për mua serbët e vrarë nuk do të jenë kurrë terroristë, për mua nuk ka justifikim as vrasja e një polici”, ka thënë Vuçiqi, shkruan Rts.
“Sigurisht që përgjegjësia duhet mbajtur për këtë, por vrasja nuk ishte e planifikuar”, thekson Vuçiq. “Siç qëndrojnë gjërat, ata vendosën barrikada, jo kurthe. Polici ka mbetur i plagosur pasi ka përplasur telat dhe eksplozivët që janë përdorur për lidhjen e automjeteve dhe vendosjen e barrikadave”.
Më pas ka pasur shkëmbim zjarri, ka thënë Vuçiq.
“Kjo nuk e zvogëlon peshën e aktit, por shpjegon natyrën dhe qëllimet”, ka shtuar ai. “Jemi të tronditur nga reagimi i EULEX-it. Ata thonë se ishte një aksion i koordinuar i KFOR-it, EULEX-it dhe policisë së Kosovës, ata e dinin se kë po dërgonin në aksion. Ata e refuzuan EULEX-in dhe filluan të likuidojnë të gjithë serbët”.
Ai ka thënë se Milan Radojiçiq nuk është i plagosur, por do të merret në pyetje.
“Milan Radojiçiq nuk i ka fshehur asnjëherë rolet e tij, ai është në territorin e Serbisë qendrore, nuk është i plagosur dhe do të merret në pyetje, ai është një njeri që e konsideron veten luftëtar për liri, por ka pyetje të cilave duhet t’i përgjigjet”, ka thënë Vuçiqi.
Kjo deklaratë e tij vjen pas kritikave të shumta edhe ndërkombëtare, të cilat thonë se me shpalljen ditë zie në Serbi për sulmuesit serbë, tregohet se Serbia ishte prapa sulmeve.
Të dielën e 24 shtatorit nga sulmues të armatosur në Banjskë të Zveçanit ka mbetur i vrarë polici Afrim Bunjaku dhe janë plagosur tre të tjerë, njëri prej tyre me armë zjarri. Edhe tre sulmues janë vrarë nga aksioni pasues i Policisë së Kosovës, ndërkaq tetë janë arrestuar. Deri tash tre janë dërguar në paraburgim e katër janë liruar. Është kapur edhe arsenal armësh, ndërsa disa sulmues të tjerë tashmë kanë ikur e po trajtohen në spitalet e Serbisë.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka akuzuar Serbinë se është përgjegjëse për organizimin e një grupi serbësh të armatosur.
Në pamjet me dron të publikuara nga Qeveria e Kosovës është parë se pjesë e grupit sulmues ishte edhe nënkryetari i Listës Serbe është edhe Milan Radojiçiq.