Asamblistët e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) dhe Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) kanë braktisur mbledhjen e Kuvendit të Komunës së Prishtinës, e cila kishte si qëllim votimin e buxhetit për vitin 2025.
Dështimi për të arritur kuorum rezultoi në anulimin e votimit.
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, gjatë mbledhjes njoftoi se për shkak të pyetjeve të shumta lidhur me buxhetin, ai preferon t’u kthejë përgjigjet përmes e-mailit. Kjo strategji u kritikua ashpër nga shefi i asamblistëve të LVV-së, Gëzim Sveçla, i cili e quajti skandaloze situatën dhe theksoi se mungesa e transparencës tregon stagnim në menaxhimin e buxhetit.
“Ju po na kërkoni të votojmë diçka që nuk dini t’i ktheni përgjigje. Le ta dijnë qytetarët e Prishtinës se nuk e dini çfarë ka në atë buxhet,” tha Sveçla, para se asamblistët e LVV-së të lëshonin sallën.